Ndërsa mbetet edhe një javë deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, avokati Spartak Ngjela shpreh bindjen se ato do të votohen siç edhe kaloi sot marrëveshja e 5 qershorit e dakordësuar mes PS-së dhe opozitës së bashkuar.
Ngjela: Situata nuk është ndonjë problem por është frika e PD-së që e krijon këtë situatë. Këta harrojnë që parlamentarizëm do të thotë votë në parlament. PS nuk i ka votat në parlament për të votuar marrëveshjen e 5 qershorit. E plotëson opozita parlamentare, por këta nuk e votojnë nëse nuk u plotësohet kërkesa për ndryshimin e sistemit. PD flet kot, nuk ka numër. Çfarë ju duhet këtyre të PS-së që bëjnë bisedime me këta që kanë ikur nga Parlamenti? Ata kanë abuzuar me votën që ju kanë dhënë përkrahësit. Çfarë arritën duke ikur nga Parlamenti, arritën demokracinë? Jemi përballë kësaj situate. Do bëhet marrëveshja e 5 qershorit, do mbarojë dhe kërkesa që ka opozita parlamentare.
Në një intervistë për Ora News, Ngjela vlerëson se hapja e listave do të ishte një hap drejt demokracisë ndërsa shton se nuk e prekin sistemin.
Edhe pse Rama përqafoi nismën e opozitës parlamentare për listat e hapura, Ngjela thotë se kryeministri në thelb nuk e do një gjë të tillë por nuk ka një zgjidhje tjetër.
Ngjela: Do të ishte një hap përpara drejt demokracisë. Në Shqipëri që nga viti 1991 është bërë vetëm 1 votim i lirë. Atë e ka bërë presidenti komunist ndërsa këta nuk kanë bërë asnjë votim i lirë pasi janë vetëm hajdutë votash. Duhet të kemi parasysh një gjë, pa një pushtet gjyqësor të pavarur nuk ka zgjedhje të lira. Po të ketë pushtet gjyqësor të pavarur të arrestojnë direkt. Ne presim Byronë Kombëtare të Hetimit të zhvillohet. Listat e hapura janë votat e popullit.
Gjithashtu avokati Ngjela u shpreh se Partia Demokratike nuk i pranon listat e hapura pasi Basha dhe grupi i tij nuk dalin deputetë pasi nuk i do populli.
Ngjela: Opozita parlamentare bëri mirë që kërkoi ndryshimin e sistemit. E më pas thanë që marrëveshjen tuaj nuk e votojmë. Nëse nuk votohet marrëveshja atëherë ka degradim të procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Çfarë i prish PD-së fakti i listave të hapura? Asgjë. Deri në vitin 1998 ne kemi qenë kështu. Kurdo që ka pasur ndryshime, të fundit kanë qenë turp. Deri në momentin që është ndryshuar kushtetuta ne kemi qenë me këtë ligj. Basha dhe grupi i tij nuk dalin dot me listat e hapura pasi nuk i do populli. As Rama nuk i do po nuk ka çfarë të bëjë se këto i kanë vendosur kusht. Gjithë këtë hap përpara po e merr opozita parlamentare. Ajo e ka kusht juridik dhe ligjor. Parlamentet bëjnë të gjithë kompromise në të mirë të votimit. Ata janë jashtë parlamentit, është turp historik dhe vijnë e shesin dhe dëngla. Këta nuk pranuan kërkesën e ODIHR për depolitizimin e administratës. Dhe opozita parlamentare i kapi mat duke i vendosur kusht listat e hapura. Minimalisht 40 përqind e lidershipit të PD-së përfshirë dhe Bashën nuk dalin. Kush i voton ata? Edhe Rama i rrezikuar është por nuk ka çfarë të bëj. Ai ose do të duhet shpërbëjë parlamentin për të shkuar në zgjedhje ose të pranojë kërkesat e këtyre. Rama rrezik e ka për të dalë me listat e hapura pasi ka rrezikuar themeluesit e PS. Basha i ka hequr të gjithë. Kam kontrolluar me vëmendjen qëndrimin e ambasadores Yuri Kim. Lista e hapur nuk e prek marrëveshjen. Bisedimet me Ramën nuk kanë dalë të gjithë. Rama nuk shkon dot në ekstrem e të çojë në destabilizim të Shqipërisë.