Katër ditë më parë, qeveria holandeze zyrtarizoi qëndrimin e saj përsa i takon çeljes së negociatave për Shqipërinë. Në një letër drejtuar parlamentit, ekzekutivi i Holandës theksonte se është një hap i tillë është sipas tij, i parakohshëm. Tani është Tirana zyrtare ajo që i drejton një letër qeverisë holandeze. Letra mban firmën e grave ministre të qeverisë sonë, të cilat theksojnë me krenari faktin që vetëm përpara pak ditësh, OKB-ja e njohu Shqipërinë si njërën prej pesë vendeve të globit me kabinetin më të balancuar gjinor. “Tetë nga 15 ministritë në Qeverinë shqiptare drejtohen nga gratë; si nëna dhe vajza, si gra që luftojnë për familjet tona dhe për vendin tonë, ne do të donim të shtronim me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët- perspektiva evropiane e vendit tonë”, thuhet në letër. Ministret theksojnë së në Shqipëri ka një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore. Por Shqipëria, theksohet aty, ka një histori shumë të ndryshme. “Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut”. Qeverisë holandeze i kujtohet se pavarësisht vështirësive, gjatë këtyre tre dekadave ka pasur përparime të jashtëzakonshme; vendi po ndryshon për mirë çdo ditë, por nuk mungon gjithashtu ndërgjegjësimi se kemi ende një rrugë të gjatë përpara.