Lëvizjet e fundit kanë ndryshon struktura e tregut të telekomunikacionit në Shqipëri.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, kompania hungareze, 4iG, zyrtarizoi marrjen e pronësisë së operatorit të dytë të telefonisë celulare në Shqipëri, ONE Telecommunications.
Në fillim të këtij muaji, 4iG njoftoi edhe blerjen e operatorit tjetër të komunikimeve elektronike në Shqipëri, Albtelecom.
Blerja e ONE e bën 4iG grupin më të madh në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri. Të marrë së bashku, ONE dhe Albtelecom kishin 1.44 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare ose rreth 55 për qind të tregut sipas këtij treguesi. Blerja e të dy operatorëve nga 4iG pritet ta ulë numrin e operatorëve celularë në dy, nga tre që veprojnë në treg aktualisht.
Në tregun e shërbimeve fikse, nëpërmjet Albtelecom, 4iG zotëron 153 mijë abonentë të telefonisë fikse, ose rreth 78 për qind të tregut dhe 118 mijë abonentë të shërbimit të internetit, ose 22 për qind të tregut.
Pas miratimit të Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës këtë muaj, 4iG Plc finalizoi blerjen e 99.899 për qind të aksioneve indirekte të ONE nëpërmjet shoqërisë holding Albania Telecom Invest (ATI). ONE zotëron një infrastrukturë me 632 antena transmetimi dhe, sipas kompanisë, krahas shërbimeve 4G/LTE, falë investimeve në vitet e fundit ato janë gati për të ofruar komunikim celular përmes teknologjisë 5G.
Në qershorin e vitit 2019, kompania nisi një partneritet pesëvjeçar me Ericsson për përditësimin e rrjetit dhe shërbimeve të saj, duke përmirësuar cilësinë e rrjetit me sistemet dhe pajisjet e teknologjisë më të fundit suedeze dhe duke u përgatitur për shërbimet 5G. Sipas të dhënave të ofruara nga vetë kompania, gjatë dy viteve të fundit, One Telecommunications ka investuar në total 92 milionë euro.
“Ne jemi krenarë që Grupi 4iG është bërë lider në tregun e telekomunikacionit shqiptar, falë blerjes me sukses të ONE Telecommunications dhe Albtelecom, si dhe një prej investitorëve të huaj më të mëdhenj në vend. Ne duam të jemi të pranishëm për një periudhë afatgjatë, me synimin për të kontribuar në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit. Rrjedhimisht, ne duam të hyjmë në këtë treg të Ballkanit Perëndimor edhe me zgjidhjet tona të Teknologjisë së Informacionit, krahas shërbimeve të telekomunikacionit”, tha Gellert Jaszai, Drejtor i Përgjithshëm dhe aksioner kontrollues i 4iG.
Në emër të shitësve, Elvin Guri, ish-aksioneri kryesor i One Telecommunications, tha se në duart e 4iG, ONE do të vijojë të ofrojë shërbime me cilësinë dhe çmimet më të mira.
Megjithëse treguesit financiarë të audituar nuk janë ende të disponueshëm, ONE bën të ditur se EBIDTA (fitimi para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) për vitin 2021 u rrit me 28.5 për qind ose 27 milionë euro në krahasim me vitin 2020.
/abc24.al/