Edhe 250 mijë euro janë ndarë për rindërtimin e stadiumit të Llapit “Zahit Pajaziti” në Podujevë, i cili pritet të përfundojë para fillimit të sezonit të ri në Ipko Superligë.
Komuna e Podujevës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për përfundimin e projektit për rindërtimin e stadiumit të Llapit “Zahit Pajaziti”, njofton klubi nga Podujeva.
Me ato para parashihet ndërtimi i tribunës lindore dhe vendosja e ulëseve.
“Gjatë ditës së sotme për vizitë tek KF Llapi kanë ardhur Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi, drejtori për sport, Ibër Alaj dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari të cilët në ditën e parë të kthimit në stërvitje pas dy muajve, kanë gëzuar me lajmin që është nënshkruar memorandumi për përfundimin e projektit të stadiumit në vlerë prej 250 mijë euro, ku do ndërtohet tribuna lindore si dhe do bëhet vendosja e ulëseve, të cilat do jenë gati për edicionin e ri”, shkruhet në njoftimin e Llapit.
“Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina ka falënderuar për vizitën ministren Dumoshi dhe kryetarin Rudari, të cilët i ka përgëzuar për mbështetjen që ia kanë dhuruar Llapit në këtë drejtim, pasi me përfundimin e projektit, stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ do të merr pamje me standarde evropiane”, thuhet tutje në njoftim.