Studiuesi Xhevat Lloshi ka qenë i ftuari i javës në emisionin “ODA” i cili ka folur për problemet që hasen në jetën e përditshme sa i përket mënyrës së shkrimit dhe artikulimit të gjuhës shqipe.
Sipas tij, gjuha shqipe ka ecur përpara gjatë kohëve që ka kaluar, ndërsa ka etiketuar edhe disa nga shkaktarët që e kanë dëmtuar atë ku përfshihet edhe politika e media.
“Shqipja gjatë kësaj periudhe me ndihmesën e rilindasve ka ecur përpara. Shqipja ka ecur përpara, do ju jap një shembull. Kohët e fundit ka dalë në qarkullim një libër ‘Enciklopedia Kadariane’, si mund të flasim pas kësaj që gjuha shqipe po shkatërrohet? Rexhep Qosja nga ana tjetër ka bërë hapa para.
Por ndryshon puna në sfera të tjera. Nuk duhet barazuar dëmi që bëjnë disa individë në sfera të ndryshme me gjuhën shqipe ne tërësi. Për këtë arsye mendoj që është i drejtë shqetësimi i atyre që thonë po prishet gjuha. Cilat janë fushat? Mediat, gazetat, politikanët që kanë shkelur jo vetëm kulturën e gjuhës por kulturën në përgjithësi. Nuk ka në asnjë vend të botës liri të fjalës, kemi liri të shprehjes së mendimit, të përzgjedhësh fjalët kur shpreh mendimin, jo të përdorësh fjale rrugaçërie.
Unë e kuptoj modën, por një nga të këqijat e mëdha sot për gjuhën shqipe është ndjekja e modës për të përdorur fjalë të huaja, deri në atë nivel sa më vjen për të qeshur. Gjuha gjithmonë ecën përpara por jo në vije të drejtë. Koncepti i pastërtisë së gjuhës duhet kuptuar në mënyrë të ngushtë e të qartë. Nuk mund të flasësh për gjuhe shqipe të pastër përpara shek 18, se në atë kohe gjuha shqipe e shkruar po ndërtohej”.
Lloshi ka cekur edhe përdorimin e shumë fjalëve të huaja që zëvendësojnë ato shqipe ndërsa i konsideron të pavend justifikimet e atyre që i përdorin dhe në ketë mënyrë tregon se pasuria e gjuhës shqipe ndodhet në fjalorin e saj.
“Thuhet në shtyp, sidomos në televizion, por jo vetëm: nuk ka shprehje të tillë në shqip. Në shqip thuhet por jo vetëm kaq, jo vetëm kjo… Nuk cungohet fjalia. Ky është huazim i drejtpërdrejtë nga italishtja dhe i panevojshëm. Pasuria e gjuhës shqipe ndodhet në fjalor. Një fjalor i ri është i nevojshëm, sepse mendimi shkencor dhe njohja e botës ka ecur përpara. Kemi përpara një fushë të gjerë për të cilën nuk ka kujdes institucional shtetëror.
Gjuha është mjeti themelor i formimit të njeriut si individ, nuk është vetëm të flasësh për rasat, emrat dhe mbiemrat. Është e nevojshme një person i shkollës, kulturës, politikës shtetit të bëjë përpjekje për të ngritur kulturën e gjuhës. Ne punojmë për gjuhën shqipe, duke njohur mirë një gjuhë të huaj. Ai që di mirë një gjuhë të huaj, di mirë si thuhet dhe shqip”.
Profesori ka ndarë edhe një shqetësim të tij sa i përket mënyrës se si është lënë pas dore gjuha shqipe edhe nga vetë Ministria e Arsimit ku theksoi se në këtë institucion nuk ka asnjë specialist të fushës. Në fund, Lloshi ka edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët, përmes të cilit tregon rëndësinë që ka gjuha shqipe për secilin prej tyre.
“Ne kemi një Ministri të Arsimit. E dini që në Ministrinë e Arsimit nuk ka asnjë specialist për gjuhën shqipe? Këtu fillon problematika. Unë nuk kërkoj të ngrihet një personel i madh, por duhet një person institucionalisht në MASR, i cili të takohet me gjuhëtarët me përfaqësuesit e universiteteve, të ketë një këshill, të mblidhet herë pas here çfarë çështjesh kemi për komunikim, për shkollën, për testet, që të mos arrijmë në pikën e provimit të maturës. Ne nuk kemi jo agjenci, po asnjë njeri në ministri.
Në radhë të parë ta pranoni që gjuha shqipe është pasuria jonë. Mos u lëvdoni që dini një gjuhë të huaj, por lëvdohuni kur të dini mirë gjuhën shqip. Unë kërkoj një gjë të vjetruar romantike, ta doni gjuhën shqipe, dhe pasi ta doni të përpiqeni ta shijoni gjuhën shqipe. Ta doni gjuhën shqipe se është vërtetë e mirë, vërtetë kënaqësi, pasuron botën tuaj individuale dhe komunikimin me të tjerët”.