Ministri për sport i Italisë, Vincenzo Spadafora, shpreson se stërvitjet në grup mund të vazhdojnë më 18 maj.
Përfaqësuesit e qeverisë deri më tani kishin qëndrim negativ lidhur me idenë që Serie A të vazhdojë. Por vendimi i Bundesligës për të vazhduar duke se ka hapur dyert edhe për kampionatet tjera. “Takimi në mes të Federatës italiane dhe komitetit mjekësor ka përfunduar.
Në takim është analizuar protokolli i propozuar për kthim në stërvitje”, ka thënë Spadafora përmes një videoje në “Facebook”.
“Ne shpresojmë se stërvitoret grupore mund të vazhdojnë më 18 maj. E di që është zhvilluar një diskutim i gjerë me shumë kërkesa nga mjekët. Tani komiteti do të hartojë vlerësimin e tij dhe do t’ia paraqesë zyrtarisht Ministrit të Shëndetësisë. Menjëherë pas kësaj ministri do ta bëjë të ditur për të gjithë. Shpresoj që problemet janë zgjidhur dhe që mund të kthehemi më 18 maj, nëse kjo është në përputhje me gjendjen e pandemisë në 10 ditët e ardhshme. Stërvitja shpresoj se do të filloj jo vetëm për futbollin por për të gjitha disiplinat”.
Në fakt disa klube të Serie A kanë hapur dyert e komplekseve stërvitore për stërvitje individuale të lojtarëve. Kusht është që lojtarët të mbajnë distancën sociale. Por nuk ka një vendim për fillimin e stërvitjeve në grup.