Teksa Kuvendi shqyrton sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist’, të ndryshuar”, kreu i grupit demokrat Myslim Murrizi kërkoi që dëmshpërblimi të jepet të paktën për 25 vite burg duke akuzuar qeveritë për tallje me ish-të dënuarit politikë.
“Është qesharake kur partitë që kanë ardhur në këtë vend pas pluralizmit nuk iu dhanë antikomunistëve atë që prisnin, nga ai subjekt që i dhanë gjithçka pasi dolën nga prangat e diktaturës. Është absurde që njeriu që ka dhënë gjënë më sublime, jetën të marrë dëmshpërblim sa për 8 vjet burg. Minimalja të paktën duhet të ishte 25 vite burg dëmshpërblim. Ndarja me këste 2-3 mln të vjetra, humbja vit pas viti e jetëve të vuajtura në këto kampe, buxhet i cunguar dhe tallje me letra me vlerë, përllogaritje për t’u zbritur kapanone, reparte, t’ia zbresësh nga dëmshpërblimi duke e llogaritur me 600-800 euro metri si pallat brenda unazës. Ata nuk morën asgjë. Dyqanet, restorantet, klubet ua falën atyre, t’i gëzojnë ata që i kanë. Kush i kishte, pjesa më privilegjuar e atij regjimi. Ata që përveç rrogës merrnin dhe 1200 lekë si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit”, u shpreh Murrizi.
Më tej shtoi:
“Këta që ishin nëpër burgje, rreth 80 mijë shqiptarë burra e gra ta pafajshëm gëzuan vetëm brohoritjet në shesh që u përmbys regjimi dhe do merrnin dhe një dëmshpërblim moral. Është e vërtetë që ju në qeverisjen tuaj që s’e keni detyrim moral por shtetëror, keni dëmshpërblyer ndoshta dhe më mirë nga paraardhësit tuaj. Çfarë është e mundur të bëhet, të gëzojnë dhe të marrin ato letra e kupona që kanë në xhep.”
Për ta përmbyllur me:
“Mos i detyroni të shtyhen në radhë. Mjafton të ulni pak dozën e kilometrave me milionat llahtar të eurove. Mjafton të mos jeni kapriciozë me cilindo qytetar dhe besoj që ajo pjesë e fundit e ish-të përndjekurve politikë që është ende gjallë dhe trashëgimtarët e parë të tyre të marrin atë që nuk ua kthen lirinë por nuk i lë endacakë rrugëve. Të shihej dhe gjaku i 6 mijë shqiptarëve të pafajshëm të vrarë nën diktaturën e proletariatit.”
Burimi: top-channel.tv