Meta: Ndihemi krenare per burrat dhe grate tona me uniforme qe i sherbejne paqes – lajmi fundit – lajmi i fundit

0
Gjigandi

BRUKSEL Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar në “Facebook” pas takimit që zhvilloi sot në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jenes Stoltenberg. Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria është një faktor  i rëndësishëm në NATO, dhe këtë rol shtoi ai, do vijojë ta luajë edhe në të ardhmen. Meta tha se kombi ynë ndihet krenar për burrat dhe gratë shqiptare,  që janë pjesë e NATO-s dhe shërbejnë me devotshmëri në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përkrah vendeve të tjera anëtare të aleancës. Postimi i Metës: “Takim miqësor dhe shkëmbim i frytshëm mendimesh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.Ne ndihemi krenarë për burrat dhe gratë tona në uniformë, që i shërbejnë paqes dhe lirisë, brenda dhe përtej kufijve të Aleancës. Na duhet të bashkojmë të gjitha përpjekjet tona strategjike për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor një hapësirë të orientuar drejt Perëndimit, që jeton në paqe dhe ndan vlerat e përbashkëta të NATO-s për liri dhe demokraci. #ËeAreNATO 🇦🇱”-shkrun Meta. Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës: “Ishte një kënaqësi e vërtetë të takohesha me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg.Së bashku patëm një shkëmbim shumë të mirë të pikëpamjeve tona mbi një numër çështjesh të rëndësishme. Ky vit shënon 70-vjetorin e NATO-s si dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Përgjatë shtatë dekadave NATO-ja ka qenë, në mënyrë të pashembullt, hapësira më e suksesshme e paqes dhe e begatisë. E kuptojmë fare mirë se çfarë kërkohet si dhe ç’do të thotë të jesh pjesë e një familje të themeluar mbi parimet e sigurisë, lirive dhe demokracisë. Ne do të respektojmë premtimin e dhënë për rritjen e investimeve në mbrojtje, si një angazhim të vendosur mbi lidhjen tonë Trans-Atlantike. Me kënaqësi konstatova një vlerësim të merituar të pranisë së Shqipërisë në operacionet dhe misionet e NATO-s, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ne ndihemi krenarë për burrat dhe gratë tona në uniformë, që i shërbejnë paqes dhe lirisë, brenda dhe përtej kufijve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjatë takimit, përmenda edhe rëndësinë që i kushtojmë përzgjedhjes së bazës ajrore të Kuçovës për investime të mëtejshme të NATO-s, duke e konsideruar atë si një vlerë të shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin tonë. Anëtarësimi i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut në NATO është një tjetër arritje e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Para dy ditësh u takova me Presidentin Pendarovski të Maqedonisë së Veriut, dhe nënvizuam së bashku se politika e dyerve të hapura të NATO-s si dhe zgjerimi i mëtejshëm në këtë rajon vazhdon të jetë strategjik dhe instrumental për paqen dhe stabilitetin. Akoma e kujtoj kur nënshkrova personalisht më 1 maj 2003, nismën amerikane A3, që synonte përshpejtimin e proceseve të pranimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut në NATO. Jemi krenarë që ky proces ka qenë i suksesshëm, dhe është shtrirë më tej në formatin A5, i cili ka rastisur që këtë vit të udhëhiqet nga Shqipëria. Në diskutimet që pata me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg, gjithashtu inkurajova vazhdimësinë e misionit të NATO-s në Kosovë si dhe praninë e përforcuar të saj në mbështetje të institucioneve të sigurisë së Kosovës. E drejta legjitime e Kosovës për t’i shndërruar gradualisht Forcat e Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese dhe multietnike të NATO-s, përmes një procesi ligjor, transparent dhe demokratik, është një burim i sigurisë së përforcuar. Inkurajova gjithashtu rivendosjen e dialogut Kosovë-Serbi duke synuar një marrëveshje përfundimtare e të detyrueshme juridikisht, e cila duhet të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme, dhe që njeh pavarësinë dhe sovranitetin e pakthyeshëm të Kosovës, që kontribuon për paqen dhe stabilitetin e rajonit si dhe normalizon plotësisht marrëdhëniet mes të dy vendeve. Patëm një diskutim të zgjeruar rreth zhvillimeve të fundit dhe ramë plotësisht dakord mbi rritjen e sfidave në mjedisin tonë të sigurisë. Kjo është arsyeja pse na duhet të ruajmë kohezionin dhe unitetin mes nesh. Na duhet të bashkojmë të gjitha përpjekjet tona strategjike për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor një hapësirë të orientuar drejt perëndimit, që jeton në paqe dhe ndan vlerat e përbashkëta të Aleancës së Atlantikut të Veriut.” Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu