Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, në një intervistë për median holandeze, thotë se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa më të mëdhenj se Shqipëria. “Këto vende vijnë te unë çdo muaj dhe më pyesin: Stef, a mund ta bëjmë tani hapin tjetër? Dhe unë u them: fillimisht rezultatet, pastaj hapin tjetër. Ky është një mësim që e kemi nxjerrë nga aderimet e shpejta në të shkuarën. Anëtarësimi i shpejtë pa ndonjë rezultat të dukshëm çon në rezultate si në Hungari, Poloni, etj. Por Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë qartësisht hapa më të mëdhenj se Shqipëria”. I pyetur nëse kjo nënkupton që do ketë një lajm të mirë për Maqedoninë e Veriut dhe një lajm të keq për Shqipërinë, ministri tha: “Nuk mund ta parashikoj këtë. Holanda nuk është i vetmi vend që e ka këtë diskutim”. A do të duhen të paktën dhjetë vjet përpara se të vijë zgjerimi i parë i BE? “Po, mund të zgjasë dhjetë vjet. Por kjo varet vërtet nga hapat konkretë që do ndërmarrin vendet. Është në duart e tyre. Ky është edhe lajmi i mirë”, tha ministri. Ndërkohë që një deputet gjerman, Metin Hakverdi, i cili do të vizitojë Shqipërinë, thotë se kushtet gjermane mund të hapin rrugën që edhe Holanda të mbështesë këtë vendim. “Unë nuk mendoj se ishte “JO”. Dje në Hagë u mblodh “Komisioni për çështjet europiane” i parlamentit holandez. Ka qenë një takim këshillues i përgatitur më parë. Nuk u dha “Jo” e qartë, por palët nuk kanë qenë të unifikuara në vendimin e tyre. Ministri holandez i Jashtëm, nuk ka dhënë përgjigje të qartë për qëndrimin që mban qeveria holandeze. Që do të thotë se duhet të presim çfarë vendimi do të marrë qeveria. Siç thashë, vendimi i marrë nga Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera, sepse kushtet e vëna mund t’i hapin rrugën Holandës që të marrë vendimin “Po me kushte”,” tha ai për Dojçe Velen.