Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një takim në Shkodër me autoritetet vendore për sezonin turistik, masat antikanabis dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Fatkeqësisht konstatoj se falë edhe disa vendimeve të pakuptueshme, të cilat nuk kam tagër t’i gjykoj, por kam të drejtë mos t’i kuptoj, kanë bërë që ende në qytet të jenë në qarkullim të lirë, në qarkullim, se të lirë ndoshta jo fort të lirë, por në qarkullim gjithsesi, eksponentë krimi të cilët meritojnë vëmendjen e policisë, vëmendjen e pashuar dhe të pandalshme të policisë, me qëllim, që të mos cenohet në asnjë mënyrë, asnjë parametër i sigurisë publike në këtë qytet, i cili, përveç tjerash, të paktën për mua përbën një lloj përkufizimi të veçantë”, tha Lleshaj ndër të tjera.
Lexoni më poshtë fjalën e tij të plotë:
Sot kam ardhur në Shkodër me një axhendë të caktuar, e cila ka filluar në Drejtorinë e Policisë, me inspektimin që po u bëjmë punimeve dhe investimit të madh që po bëhet në këtë Drejtori, i cili shpresoj të shndërrohet në një obligim të ri për gjithë punonjësit e Policisë, për të kontribuar më shumë që Shkodra dhe qyteti, qarku në tërësi të ketë më shumë rend, qetësi, siguri dhe shërbim për qytetarët e saj.
Shkodra për ne të gjithë është një definicion i madh, për çdo shqiptar. Shkodra ka histori të madhe, është referencë në fakt për vlera për shumë shqiptarë. Por pikërisht nga që ka shumë histori, historia na e bën të vështirë të tashmen dhe të ardhmen, sepse është barrë e madhe historia që ka, dhe na obligon me detyrime që përveçse të flasim dhe mburremi me historinë e saj, të angazhohemi për të sotmen dhe të ardhmen e këtij qyteti.
Dhe besoj që qeveria shqiptare, unë për vete si ministër i Brendshëm, Policia e Shtetit e ka gjithë angazhimin për të bërë më të mirën e mundshme që ky qytet të jetë aty ku ka vendin, në fakt në krye.
Është një qytet që ka lindur si qytet, në Shqipëri ka shumë qytete të mëdha që kanë lindur si katunde dhe janë bërë qytet, ndërsa Shkodra ka lindur si qytet. Dhe duhet të mbetet aty ku e ka vendin. Ky është obligim i përbashkët i të gjithëve, dhe me këtë rast e falënderoj Kryetaren e Bashkisë, që është bashkuar në këtë tryezë sot për të ndarë dy-tre mendime lidhur me disa gjëra që na preokupojnë, dhe besojmë kanë rëndësi për t’u trajtuar.
Dhe po filloj, së pari, me turizmin. Duke qenë se ne po kalojmë një periudhë pandemie, e cila po i ka tronditur mjaft bazat ekonomike të vendit për arsye të shumë kufizimeve, shpresojmë që tani me lehtësimin e masave dhe me hapjen e sezonit turistik, të kemi mundësi që përmes shërbimeve të kombinuara dhe të mirëkoordinuara, të mund të kompensojmë disi atë barrë të madhe që qytetarët janë detyruar të paguajnë për shkak të kufizimeve.
Dhe këtu na duhet të bashkojmë forcat të gjithë, aktorët vendorë, qendrorë, Policia e Shtetit, IKMT, e cila tashmë kujdeset jo vetëm për mbrojtjen e territorit, por dhe për mjedisin dhe pyjet, me qëllim që në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët, të mundësojmë që sezoni turistik të jetë një sukses i vërtetë dhe të arrijmë siç e përsërita përmes kësaj përpjekje, të kompensojmë atë që mund të kompensohet nga humbjet e mëdha, që qytetarët dhe bizneset kanë pësuar gjatë këtyre muajve të izolimit të pashembullt.
Theksoj me këtë rast që është e rëndësishme që të kombinojmë përpjekjet që turizmi të mos kontaminohet nga ndotja e mjedisit dhe prandaj është e pranishme sot edhe Drejtorja e IKMT-së, me qëllim që të mundësojmë vijimin e planit për të mbajtur të pastër gjithë zonën turistike dhe po flas këtu meqenëse ndodhemi në Velipojë, për Velipojën, nga ndërhyrjet e paligjshme, nga dëmtimet e mjedisit, duke u fokusuar te ndërtimet pa leje, te zaptimet të cilat duhet të zhduken nga fjalori.
Prandaj tashmë IKMT-ja punon së bashku me Policinë, si një strukturë e integruar në fakt dhe objektivi i punës së këtyre dy institucioneve, do të jetë që të mbajnë të pastër në kuptimin të pazaptuar atë tokë, atë sipërfaqe të tokës, që i përket publikut.
Besoj e dimë të gjithë dhe s’ka nevojë për të parë në Hipoteka që vija bregdetare, rëra i takon publikut, nuk janë pronë private dhe nuk mundet kurrsesi të pushtohen nga kushdo.
Këtu do jetë një përgjegjësi e lartë, e qartë, për Policinë për IKMT-në, për të mbajtur të pastër çdo centimetër katror të vijës bregdetare dhe të sipërfaqes përkatëse të pronës, e cila nuk duhet të preket pa autorizimet përkatëse, që lëshohen nga autoritetet kompetente.
Fatkeqësisht historia jo vetëm këtu, por në të gjithë bregdetin na ka ballafaquar me zaptime, me një mentalitet primitiv që dikush që i thotë vetes i fortë, del e pushton sipërfaqe, që nuk i takon, në kundërshtim me ligjin, me moralin, etikën, në kundërshtim me të gjithë traditën tonë, e cila nuk lidhet me pushtimin dhe me zaptimin e asaj që nuk të takon.
Kështu që në këtë fushë qoftë mjedisi, qoftë Policia e Shtetit, qoftë Drejtoria Vendore këtu, duhet të jenë të qartë që kanë një përgjegjësi të panegociueshme për ta mbajtur vijën bregdetare në atë gjendje që i takon sipas ligjit, pronë e publikut, akses i lirë për publikun.
Në të njëjtën kohë është me rëndësi që kjo sipërfaqe e lirë të mbahet dhe e pastër. Dhe këtu prapë ka detyra të mëdha IKMT-ja si inspektorat edhe për mjedisin dhe këtu gjej rastin edhe një herë të ritheksoj nevojën e madhe për t’u kujdesur për vijat ujore.
Velipoja jeton prej rërës dhe prej Bunës, sepse çfarë derdhim në Bunë, ose në Drin, ose në liqen e presim këtu në det, kështu që është me rëndësi të jashtëzakonshme marrja e masave ndaj të gjithë atyre, që shkelin ligjin dhe bëjnë krim mjedisor duke shkarkuar mbetje urbane, mbetje të tjera, ujëra të zeza në këto thesare të vërteta, në fakt, që ka Shkodra por edhe Shqipëria, që janë të gjithë ujërat që e rrethojnë.
Pra, Liqeni, Drini, Buna me qëllim që kur të vijmë këtu në det të gjejmë ujë të pastër. Mos të vijmë dhe të lahemi në ujëra që sapo kemi shpenzuar pak më parë në qytet. Ky është qëllimi i madh.
Sot, koinçidon në fakt jo se e kisha planifikuar, që është Dita Botërore e Mjedisit, 5 Qershori dhe prandaj e gjej me rast ta bëj një thirrje të madhe për të gjithë qytetarët që të përpiqen të kontribuojnë për ta mbajtur pastër gjënë më të shtrenjtë që kemi tokën tonë, vendin tonë.
Një çështje tjetër që ka të bëjë shumë me të gjithë aktorët e pranishëm në këtë takim të sotëm, është ajo që ka të bëjë më luftën kundër kultivimit të kanabisit. Nuk kam pasur kohë sot të merrem me mediat e mëngjesit, se nganjëherë ja hedh një sy por sot thjesht në televizor e pashë që kishte një karikaturë të madhe miku im Bujar Kapexhiu, ku më paraqiste me një kosë të madhe duke kositur kanabis në të gjithë Shqipërinë. Dhe vërtetë Bujarin e kam edhe mik, dhe për këtë arsye e ka kollaj të ma bëjë portretin pa u lodhur shumë se e njeh portretin tim kështu nga afër.
Thashë që ta tematizoj çështjen e kanabisit për arsye se mbetet një sfidë e madhe për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë në shumë plane. Kapexhiu kishte nxjerrë sikur unë me kosë po kosis kanabis në të gjithë Shqipërinë. Në fakt sigurisht karikatura e ka lejuar të hiperbolizojë gjendjen sepse ky është arti i karikaturës që t’i zmadhojë gjërat. Nganjëherë të zmadhon hundën, të zmadhon veshin, nganjëherë zmadhon një fenomen.
Unë nuk besoj që Shqipëria është në atë gjendje. Jo nuk besoj por nuk është në atë gjendje. Por unë besoj që ka ende tentativa për ta zhytur Shqipërinë në gjendje të papëlqyeshme, të papërshtatshme.
Dua t’ju them që kjo lufta kundër kanabisit, të nderuar zonja dhe zotërinj, mbetet një përgjegjësi e madhe për të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë vend, qofshin zyrtarë të shtetit, qendrorë apo vendorë, qofshin edhe subjekte private apo edhe individë, dhe deviza ime si Ministër i Brendshëm mbetet luftë e pakompromis. Kjo luftë do të vazhdojë.
Policia është e angazhuar dhe shpresoj që do ta bëjë detyrën e vet në dy fronte: e para, për të luftuar kriminelët që merren realisht me kultivimin, apo trafikimin e bimëve narkotike, dhe e dyta, të merret me vënien para përgjegjësisë ligjore të kujtdo, që ka përgjegjësi për administrimin dhe kontrollin e territorit.
Për arsye se ky pak territor që kemi, kjo pak Shqipëri që kemi, është në përgjegjësinë e shumë vetëve. Ka përgjegjësi qeveria qendrore, ka përgjegjësi Policia, ka IKMT-ja, kanë përgjegjësi inspektoratet e panumërta që kemi për ta kontrolluar territorin. Kanë përgjegjësi autoritetet vendore, kanë përgjegjësi subjektet private për atë copë tokë që është private, dhe të gjithë këta, duhet të angazhohen fortë për ta kryer këtë përgjegjësi.
Nuk është detyra e Policisë të dalë dhe të kosisë kanabisin nëpër male. Detyra e përgjegjësisë është të dalë e “të kosisë kriminelë”, dhe të “kosisë zyrtarë” që nuk bëjnë detyrën.
Në qoftë se do të kthehem tek metafora e asaj karikaturës së sotme, do të thosha se në qoftë se unë do të dal me një kosë nëpër Shqipëri, do të jetë një kosë që do të synojë të “presë” zyrtarë, që nuk bëjnë detyrën e tyre.
Duke përfshirë nga zyrtarët e policisë, nga zyrtarët e inspektorateve përkatëse të kontrollit të territorit, të pyjeve, të mjedisit, të bujqësisë, e të tjerë, që nuk po i rendis se edhe po t’i rendis nuk do t’i rendis dot aq shumë janë.
Këtu kërkoj nga të gjithë të pranishmit vlerësim të madh, sidomos nga policia, por edhe nga autoritet e tjera, prefektura dhe bashkia, kërkoj vlerësim të madh që një njollë që Shqipëria mban prej kohësh, ta zhbëjmë përfundimisht për arsye se nuk është e ardhmja e Shqipërisë, as e shqiptarëve, marrja me krim.
Kanabisi është thjesht një krim, i cili prodhon krime të tjera. Shumë prej krimeve të tjera me të cilat në duhet të ndeshemi në rutinën e përditshme në fakt burojnë, e kanë fillesën te kanabisi dhe te gjërat tjera. Kështu që është shumë me rëndësi angazhimi i përbashkët dhe këtu s’kemi se çfarë të diskutojmë. Këtu kemi vetëm për të vepruar.
Dhe e fundit, është përpjekja për të forcuar më tej parametrat e rendit dhe sigurisë publike, në Shqipëri në tërësi dhe në Shkodër në veçanti. Shkodra është një qark i cili ka trashëguar një gjendje jo pozitive sa i përket rendit dhe sigurisë publike. Janë bërë hapa, janë bërë përpjekje por mbetet shumë për të bërë.
Fatkeqësisht konstatoj se falë edhe disa vendimeve të pakuptueshme, të cilat nuk kam tagër t’i gjykoj, por kam të drejtë mos t’i kuptoj, kanë bërë që ende në qytet të jenë në qarkullim të lirë, në qarkullim, se të lirë ndoshta jo fort të lirë, por në qarkullim gjithsesi, eksponentë krimi të cilët meritojnë vëmendjen e policisë, vëmendjen e pashuar dhe të pandalshme të policisë, me qëllim, që të mos cenohet në asnjë mënyrë, asnjë parametër i sigurisë publike në këtë qytet, i cili, përveç tjerash, të paktën për mua përbën një lloj përkufizimi të veçantë.
Por nuk e them vetëm për arsyen time personale, e para është arsyeja shtetërore, arsyeja politike, qytetare, zyrtare për t’u marrë fort me rendin dhe sigurinë në qytet, ku përfshihet, ndër të tjera, lufta kundër krimit të organizuar, i cili në Shkodër është i identifikuar dhe për të cilin policia është mjaft e informuar, për t’u mbajtur në kontroll dhe për t’u goditur në çdo çast që tenton të kalojë vijën e ligjit.
Dhe e dyta, është përpjekja për të kontrolluar vijën kufitare, flukset e paligjshme migratore, të cilat, (jeni të informuar që para ca ditësh kanë pësuar një goditje të madhe, për fat të keq, brenda radhëve të policisë, ku u godit një rrjet trafikimi që kishte lidhje edhe brenda Policisë së Shtetit, dhe këtë duhet ta theksoj.
Por mbetet me rëndësi përpjekja dhe objektivi për të kontrolluar migracionin e paligjshëm, i cili është mjaft i përhapur në vend, ashtu si edhe në vende të tjera. Nuk është se kemi ndonjë situatë ndryshe nga vendet e tjera, por ne jemi përgjegjës për vendin tonë. Dhe në vendin tonë, ky fenomen duhet kontrolluar sepse me të lidhen shumë fenomene të tjerë dhe dukuri të tjera kriminale, kryesisht trafikimi. Pra, nga migracion ai kthehet në trafikim, nga emigrantë, ata të varfër kthehen në viktima trafikimi dhe çdo krim prodhon krime të tjera. Prandaj ne duhet ta luftojmë me përgjegjësi dhe dua t’ua bëj të qartë të nderuar drejtues të policisë që në këtë pikë nuk ka asnjë hapësirë për të bërë ndonjë hap mbrapa. Nuk ka. Duhet të bëni vetëm hapa përpara, ose anash.
Ka vetëm 2 rrugë, ose do të ecim përpara, dhe anash do të thotë të hapim krahun! Nuk kemi mundësi tjetër. Edhe në Shkodër kemi pasur raste që vijnë e strehohen nëpër apartamente, marrin apartamente me qira, pa qira, pra me dokumente, pa dokumente e kështu, do një vëmendje shumë të madhe edhe ky fenomen, në mënyrë që të kontribuojmë për rritjen e parametrave të sigurisë.
Më shumë siguri do të thotë më shumë liri për qytetarët, më shumë të drejta dhe më shumë hapësirë për t’u zhvilluar kultura, për t’u zhvilluar biznesi, për t’u zhvilluar të gjitha ato gjëra për të cilat qytetarët kanë nevojë dhe për të cilët shkodranët, jo vetëm që kanë nevojë, por kanë edhe shumë mundësi e shumë talent.
Shkruar nga: top-channel.tv