Ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi sot se ka pritur në takim përfaqësues të kompanisë të lojës së famshme “Monopoly” e cila vjen me edicionin zyrtar edhe në Shqipëri.
Deri tani, Monopoly ka krijuar edicione të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë edhe vende të rajonit, ndërsa shqipja do të jetë gjuha e 45-të e saj.
“Unë mendoj që është një iniciativë shumë e mirë kjo e “Monopoly”, veçanërisht për t’iu qasur një publiku të ri që mbase nuk ndjek lajme, nuk sheh televizor, nuk lexon portale, nuk i ndjek politikanët, por duke luajtur këtë lojë dhe duke mësuar për Shqipërinë dhe Kosovën përmes saj është promovimi më i mirë që mund të bëjmë. Kështu i kthejmë ata në ambasadorë të aseteve që ne kemi në të dy shtetet tona”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanisë.
Gjatë lojës zbulohen destinacionet më interesante të vendit, qoftë ato natyrore, qoftë ato me interes kulturor, pjesë të sporteve, edukimit, apo sipërmarrjeve.
Në një postim në Facebook pas takimit, Kumbaro u shpreh se një prej lojërave më të famshme e më të shitura në botë do të përshtatet si për Kosovën edhe për një super promovim të Shqipërisë, me fotografi nga vendet turistike dhe përshkrime të xhevahireve natyrore e kulturore.
“Për të gjithë qejflinjtë që e kanë luajtur në shumë gjuhë, #Monopoly tani do të flasë zyrtarisht shqip”, shtoi Kumbaro.
Përfaqësuesit e “Monopoly” do të nisin menjëherë turin në Shqipëri për përzgjedhjen e vendeve që do të promovohen, ndërsa edicioni zyrtar i lojës në shqip do të jetë gati për festat e nëntorit.
/abc24.al/