Sulmuesi anësor i Chelseat dhe Anglisë, Callum-Hudson Odoi, ishte arrestuar shkaku i akuzës për përdhunim në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, mirëpo policia e ka konfirmuar se ai është liruar nga paraburgimi që nga atëherë.
Policia dhe një autoambulancë ishte thirrur në një adresë në Londër në orën 3:53 të mëngjesit të së dielës, pasi një grua raportoi se ishte përdhunuar.
Përderisa gruaja menjëherë u dërgua në spital, 19-vjeçari Hudson-Odoi u arrestua në vendin e ngjarjes, por që nga atëherë ai është liruar nga paraburgimi.
Ai është liruar me urdhër për t’u kthyer në një datë të caktuar në mes të qershorit, përderisa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
Chelsea ka mohuar ta komentojë këtë rast për mediumet britanike.
The Sun raporton se Hudson-Odoi e kishte takuar gruan në fjalë online dhe e kishte ftuar në shtëpinë e vet, duke e dërguar një makinë për ta marrë.
Rregullat e karantinës specifikojnë se vetëm një person nga secila shtëpi mund të takohen mes vete nëse qëndrojnë në ambient të hapur dhe mbajnë distancë prej dy metrash.
Hudson-Odoi kishte qenë lojtari i parë i Premierligës që ishte infektuar me koronavirus. Megjithatë, ai tashmë është shëruar plotësisht dhe po pret t’u kthehet stërvitjeve me klubin e tij në grupe të vogla.