“Ezequiel Lavezzi ka denoncuar tentativat e zhvatjes me sfond seksual që i janë bërë atij dhe të dashurës së tij të re, Natalia Borges. Atyre u është kërkuar të paguanin 5 mijë dollarë për çdo material me drita të kuqe”.
Kjo është bërë e ditur nga e përditshmja argjentinase Clarin, që ka kujtuar sesi ish-sulmuesi i Napoli-t e ka jetuar një situatë të ngjashme në gushtin e 2014-ës, pak pas Kupës së Botës, bashkë me të fejuarën e asaj kohe, Yanina Screpante.
El Pocho ndodhet në Karaibe, në Saint-Barths, pasi ka lajmëruar lamtumirën nga futbolli dhe ka filluar të marrë kërcënime në Instagram nga dy profile, duke denoncuar menjëherë tentativën e zhvatjes.
“Kanë filluar t’i shkruajnë nga dy profile në Instagram. Jo vetëm atij, por edhe të dashurës së tij. Këto persona i kanë thënë se kanë videot dhe bisedat e tyre dhe u kanë dhënë detaje mbi përmbajtjen, për këtë arsye është gjithçka shumë e besueshme. Edhe po të mos ishin të vërteta, do të bëhej gjithsesi fjalë për zhvatje”, kanë shpjeguar burime afër çështjes.
Lavezzi dhe Natalia i janë drejtuar menjëherë avokatit Mauricio D’Alessandro dhe kanë nisur këshillimet ligjore, që janë mbyllur me dy denoncime në zyrën e porkurorisë së kriminalitetit në Buenos Aires. Krimet në hetim janë zhvatja dhe përhapja e imazheve private.
“Pocho është i qetë, edhe pse shumë i vëmendshëm mbi zhvillimin e çështjes. Shqetësimi i tij është që të mësohet sa më pak në lidhje me këtë histori. Kur ka marrë avokatin e tij, e ka bërë të nënshkruajë një kontratë konfidencialiteti”, ka bërë të ditur një burim tjetër anonim për Clarin.