Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim vajzat e klubit të futbollit KFF “Mitrovica”, të cilat pas triumfit në garat e Superligës së Kosovës në futboll, janë kurorëzuar me titullin e kampionit në Ligën e Femrave.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kryetari i klubit të KFF “Mitrovica”, Hajrullah Haxhiu, trajneri, Seid Ombashi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka uruar dhe falënderuar përzemërsisht vajzat nga klubi i futbollit “Mitrovica” për punën dhe sukseset e arritura, duke thënë se me angazhimin e tyre kanë arritur të nderojnë gjithë qytetin e Mitrovicës, ku për tri vite radhazi shpallen kampione në nivel vendi.
“Me fitoren tuaj si kampione në Superligën e Kosovës në futboll, ju keni bërë që Mitrovicës t’i shtohet akoma nami për suksese në të gjitha sportet, prandaj me juve sot mburret i tërë qyteti. Andaj i’u inkurajoj që të vazhdoni me këtë angazhim të plotë e seriozitet në punë dhe suksesi juaj padyshim do të jetë gjithmonë i garantuar”, u tha kryetari Bahtiri.
Ndërsa kryetari i klubit të KFF “Mitrovica”, Hajrullah Haxhiu, falënderoi kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka për mbështetjen e vazhdueshme morale dhe financiare që kanë dhënë ndaj klubit të tyre, edhe përkundër mundësive të kufizuara buxhetore gjithmonë kanë hasur në përkrahje të komunës.
Po ashtu ai potencoi se do të japin përkushtim maksimal që të jenë prapë kampion dhe të përfaqësojnë denjësisht qytetin edhe në ndeshjet ndërkombëtare.
Në fund të takimit, kryetari Bahtiri ka prezantuar para të pranishmëve ndër projektet madhore të cilat janë duke u realizuar në qytetin e Mitrovicës, duke u treguar atyre projektin për stadiumin “Adem Jashari” i cili pritet të marr pamje të stadiumeve evropiane pas renovimeve që do të bëhen, dhe ku do të kenë mundësi të zhvillojnë ndeshje edhe vajzat e futbollit “Mitrovica”.