Gjatë qendrimit në Kosovë, ku zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, nderoi figurat e shquara të kombit, që kanë punuar, luftuar dhe sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Lideri i opozitës ishte në Boletin, në vendlindjen e Isa Boletinit, duke u bërë politikani i parë nga Shqipëria që viziton kullën e tij dhe bën homazhe në varrin e Isa Boletinit. Në 10 qershor të 2015-ës eshtrat e Isa Boletinit u varrosën pranë kullës së tij, duke çuar në vend amanetin e Isa Boletinit, ku kryetari Basha dha kontributin e tij.
Isa Boletini është një prej figurave kryesore të pavarësisë së Shqipërisë dhe të luftës për çlirimin e Kosovës nga pushtimi osman dhe ai serb. Vizita në kullën e Isa Boletinit, e rrënuar 6 herë prej pushtuesve, kishte emocione të forta, jo vetëm për historitë shekullore të treguara, por edhe për suprizën e jashtëzakonshme që pasardhësi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i rezervoi zotit Basha.
Gazmend Boletini: Ne e kemi menduar eskluzivitet për ta dhuruar dhuratë flamurin e Isa Boletinit.
Lulzim Basha: Të falenderoj nga zemra! Shumë i prekur, shumë!
Gazmend Boletini: Ky flamur është ngritur më 30 qershor 1912 në Vesekofc, në fshatin e Bajgorës, aty ka filluar kryengritja e përgjithshme, çlirimi i Shkupit deri në Vlorë. Shqiponja është origjinale e kohës. Duke falenderuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes, që ka bërë disa kopje, një nga ata do ta trashëgosh ti ishallah, sa më shpejt Kryeministër i Shqipërisë. Ta vazhdosh rrugën e rilindasve, edhe besoj se do ta ndjekësh, se je i tillë.
Lulzim Basha: Të falenderoj nga zemra! Shumë i prekur, shumë i emocionuar!
Gazmend Boletini: Këtë do ta kesh për zyrën e ardhshme si Kryeministër!
Lulzim Basha: Ky është bekim!
Lulzim Basha: Ky është bekim hyjnor edhe atdhetar! Faleminderit!
Gazmend Boletini: Nuk besoj se ka ndonjë dhuratë që të kishte bërë më shumë.
Lulzim Basha: Absolutisht jo!
Në Boletin, zoti Basha u takua me pasardhes të familjes së Isa Boletinit, si dhe me nipin e Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.
Gjatë qendrimit në Kosovë, ashtu siç e ka bërë traditë, zoti Basha bëri homazhe në nderim të arkitektit te Kosovës së pavarur, presidentit të parë, Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova do të mbetet frymëzim për breza të tërë politikanësh që vendin dhe popullin e tyre e vënë përpara interesit personal.
Vizitën në Kosovë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e mbylli në Prekaz me homazhet në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vuri gjakun e tij dhe familjes së tij në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur, duke i treguar botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarët.
Burimi: top-channel.tv