Policia e Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë ka ndaluar tre persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Sot rreth orës 02.00 në Vërmicë, një njësi policore nga stacioni policor për mbikëqyrje të pikës kufitare, ka vërejtur një grup prej 24 personash me shtetësi siriane duke hyrë ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë. Përveç këtij grupi, Policia e Kosovës ka vërejtur edhe dy automjete në të cilat ishin katër persona që dyshohet se ishin në pritje për kontrabandim të migrantëve.
Në lokacion policia ka bërë arrestimin e tre personave të dyshuar me ç’ rast u janë konfiskuar telefonat personalë, të cilët dyshohet se kanë përmbajtje të dëshmive që i implikon të dyshuarit në rast.Gjithashtu është bërë sekuestrimi i dy automjeteve me të cilat është tentuar që të kryhet kontrabandimi me migrantë.
Në konsultim me prokurorin kompetent, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt është në kërkim.
Burimi: top-channel.tv