Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur sot video-konferencën e dytë me federatat sportive, derisa këtë herë pjesëmarrës ishin edhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Vlora Dumoshi dhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj.
KOK-un e përfaqësuan presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj. Të pranishme në video-konferencën e organizuar përmes platformës ‘zoom’, ishin drejtuesit e 24 federatave.
Ministrja Dumoshi duke falënderuar KOK-un dhe federatat sportive për bashkëpunimin, foli për takimin e mbrëmshëm me ministrin e Shëndetësisë (MSH), Arben Vitia. Ministrja tha se qëllimi i takimit ishte që ta njoftojnë për së afërmi ministrin Vitia me gjendjen në të cilën ndodhen federatat sportive, duke kërkuar një përgjigje sa më të shpejtë nga MSH dhe IKSHPK për rifillimin e aktiviteteve, derisa beson se para deri më 18 maj do të marrin një përgjigje.
Bazuar në Rendin e Ditës gjatë diskutimeve, secila federatë varësisht nga specifikat e tyre treguan për kohën optimale të tyre për të nisur përgatitjet dhe garat, derisa një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe nga klubet. Të gjitha udhëzimet u kërkua t’i dërgohen MKRS-s, e cila do t’ia përcjellë MSH-së dhe IKSHPK-së, në mënyrë që rifillimi i aktiviteteve sportive të bëhet sa më parë. Shumica e federatave shprehën gatishmërinë që të fillojnë sa më parë me aktivitete.
U dakordua që bazuar në masat e dala nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, të gjitha klubet të dezinfektojnë hapësirat e tyre, ku stërvitin dhe ku i zhvillojnë garat.
Disa federata treguan se kanë marrë udhëzimet edhe nga federatat përkatëse ndërkombëtare, se çfarë masa duhet marrin për të rifilluar përgatitjet dhe garat.
Në pikën e fundit të Rendit të Ditës “Të Ndryshme”, u diskutua për 5 milionëshin e premtuar nga pakoja fiskale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila sipas propozimit do t’i ndahet sportit, kulturës dhe rinisë.
Në këtë pikë, drejtori i DS në MKRS, Ibër Alaj, sqaroi se pakoja fiskale e propozuar nga Qeveria në detyrë, ka pak gjasa të realizohet, pasi ndodhemi në një periudhë ku veprimet ligjore na kufizojnë dhe se vendimi për këtë duhet të merret në Kuvendin e Kosovës.
Sipas drejtorit Alaj, nuk ka buxhet shtesë në MKRS për ndarje të mjeteve shtesë në kohë të pandemisë dhe se MKRS është duke duke punuar me buxhetin që ka për të ndihmuar federatat sipas memorandumeve të nënshkruara. Disa nga federatat treguan për presionet që po iu bëhen nga klubet për pakon fiskale, për çka kërkuan nga MKRS që të dalë me sqarime.
KOK, MKRS dhe federatat u pajtuan që video-konferenca e radhës të mbahet pas dy javësh.