Kantautorja australiane Keely Eggmolesse qëlloi me thikë në gjoks të dashurin e saj pas një debati të nxitur nga alkooli, por i ka shpëtuar burgut pasi gjykatësi tha se “marrdhënia e tyre ishte toksike”.
Incidenti ndodhi teksa ish-çifti ishin duke pirë në shtëpinë e tyre në Sunshine Coast, Australi.
Dje në gjyq u tha se 24 vjeçarja kishte qëlluar partnerin e saj të tre viteve, më 24 prill 2018.
Kur viktima në moshë të njëjtë me Eggmolesse kishte tentuar të largohej nga shtëpia, ajo ishte afruar drejt tij me thikë.
Pas përkeqësimit të argumentit ajo ngriti thikën dhe e goditi në anën e majtë të kafazit të kraharorit duke i shkaktuar një plagë 1 cm të gjerë.
Eggmolesse pranoi dje akuzat e dhunës shtëpiake dhe prokurori Will Slack insistoi për një dënim dy vjet e gjysmë burg. Ai shtoi se krimi është në rrethana të përkeqësuara pasi përfshinte një armë fatale, por avokati i mbrojtjes Nathan Turner argumentoi se Eggmolesse ishte një person “me karakter të mirë” dhe tashmë klientja e tij e kishte ndryshuar jetën e saj.
Gjykatësi pranoi kërkesën e avokatit dhe uli dënimin e saj në 18 muaj burg të pezulluar. “Kjo duket se erdhi si pasojë e një marrdhënieje toksike, prandaj besoj se kjo sjellje nuk ka gjasa të përsëritet nga shkelësja”, tha gjykatësi.
Burimi: top-channel.tv