Deri sotme në Shqipëri dy mjekë kanë humbur betejën me pandeminë e covid19. Teksa ndodhen në frontin e parë të “luftës”, mjekët dhe infermierët janë njerëzit më të rrezikuar.
I tillë është edhe rasti i mjekut Shefki Meta i cili prej 28 qershorit ka rezultuar pozitivi me koronavirus.
Teksa flet për infektimin, mjeku Meta shkruan se ka punuar me frikën se pas infektimit do të kthehej edhe “armik” i familjes së tij nga frika e përhapjes së pandemisë.
Ai tregon se më 28 qershor nuk mundej më, fryma i merrej dhe se gati po i binte gjendja e të fiktit.
Sipas tij në spitalin infektiv jeta dhe vdekja e kishin kufirin më të hollë se fija e perit.
UNË DO TA “MPOSHT” COVID-in!
Kisha rreth katër muaj që në shtëpi kthehesha dhe shikohesha si “armik”, pasi çdo ditë përballesha me të panjohurën. Nuk kam bërë asnjë ditë pushim, por ju kam shërbyer njerëzve pa asnjë lloj kufizimi, gjithmonë duke pasur parasysh masat e duhura mbrojtëse. Çdo ditë jam kthyer në familje dhe jam sjellë si të isha një njeri i infektuar me Covid-19 dhe i “gatshëm” në çdo çast tja transmetoja dhe familjes time. Ky ankth më shoqëroi mua dhe familjen vazhdimisht deri sa një ditë u ktheva në shtëpi shumë i lodhur dhe me temperaturë.
Nuk doja ta besoja se tek unë kishte ndodhur ajo që nuk doja të ndodhte kurrë. Më kot u mundova të fshihem pas vetes, duke qenë mjek kuptoja dhe kuptova çdo gjë. Tamponi pozitiv për Covid-19 ishte sa për t’i vënë kapakun. Gjendja ime erdhi duke u renduar, virusi i pabesë nuk kishte të ndalur. Ai po më zinte frymën dhe po më çorodiste mendjen.
Nuk kishte rrugë tjetër, në atë prag mëngjesi të ditës së diele datë 28 Qershor 2020 veçse të telefonoja së pari shokun dhe mikun tim të ngushtë Dr.Ramazan Balla, i cili atë natë ishte në shërbimin e urgjencës. Ai më këshilloi që të marr 127, dhe ashtu bëra. Dr. Shefkiu jam, u prezantova.
Kam nevojë të shtrohem në spital pasi nuk mundem më. Fryma po më merrej dhe kisha gjendje të fikëti. Zëri pas telefonit mu përgjigj se për pesë minuta jemi aty…dhe ashtu ndodhi. Për herë të parë në jetën time u shtrova në një spital dhe pikërisht në spitalin infektiv. Në atë spital ku përpara dyzet e ca vitesh kisha qenë si student. Përballja e parë në spital ishte një kujdes i menjëhershëm nga stafi që punonte aty.
Unë isha mjeku që kërkoja ndihmë dhe jetë, ndërsa rreth e rrotull shumë të tjerë lëngonin dhe luftonin me jetën. Isha futur në “ferrin” ku jeta dhe vdekja e kishin kufirin më të hollë se fija e perit. Në ato çaste në kokë mu rrotullua jeta ime që herë më vinte si mirazh dhe herë si keqardhje që mund të largohesha nga kjo botë, pa pritur e pa kujtuar.
Një situatë e paimagjinueshme. Në ato momente të qëndrimit aty, nuk ja mësova dot emrin një infermieri të jashtëzakonshëm që nuk e kishte babain, i cili luftonte me një të sëmurë, duke e kthyer herë pas here në jetë. Më shtruan në katin e dytë të dhoma 10/2 bashkë me krutanin Shpend i cili ka qenë për mua një njeri me zemër të madhe. Ai merrte frymë me oksigjen, por më motivoi për të gjitha ditët e qëndrimit në spital. I kemi dhënë kurajo pa fund njëri-tjetrit. Vetëm kur je aty brenda në spital kupton se çfarë ndodh, një gjë e jashtëzakonshme, një situatë e paprecedentë.
Dhoma të mbushura plot me pacientë, të shkujdesur, të zhveshur nga vapa, që rënkojnë dhe kërkojnë ndihmë. Nëpër koridore vraponin pa pushim, ato, heroinat dhe heronjtë e vërtetë, personeli shëndetësor dhe infermierë, që kurrë ditë e natë nuk u lodhën megjithëse të mbuluar me atë veshje shumë të rëndë e cila të zë frymën. Në sytë e tyre kam lexuar vetëm shpresë. Ata ishin të jashtëzakonshëm, mbinjerëz. Jam infermieri i Profesor Arben Gjatës më tha njëri, tjetra më tha se vinte nga një repart tjetër kirurgjikal, e kështu me radhë. Zërat e tyre si cicërimat e zogjve harmonizoheshin gjatë gjithë natës duke ju shërbyer të gjithë pacientëve pa përjashtim.
Pa diskutim që mjekët e Spitalit Infektiv në QSUT janë të gjithë Heronj por, në veçanti profesoreshë Najada Çomo është “Nënë Tereza” e këtyre ditëve, nga më të vështirat që po përballet ai spital. Dora e saj e ngrohtë, prekte dy herë në ditë pacientët. Ritheksoj dhe një herë se heronjtë e vërtetë të kësaj lufte të paprecedentë, me këtë virus të tmerrshëm janë ata djem dhe vajza që kanë vënë shpirtin e tyre aty ku jeta lufton me veten e saj. Njëra nga ato ishte me kollë, por e përfundoi turnin pa u ankuar asnjëherë. Mirënjohje e madhe për sanitaret, heroina të vërteta. Kam parë nën veshjen e trashë se si u kullonte djersa dhe përmbushnin pa asnjë ankesë detyrën e tyre.
“Jetova” ato ditë në spital, ato ditë ferri, të papërshkrueshme në jetën time, si të ishin shekuj. E ndërsa gjendja ime pothuajse vazhdonte të ishte e rënduar, një dorë magjike, dora e Profesoreshë Najadës më përshkoi ballin, më preku nga duart dhe më tha: “Dr. Shefkiu, ti sot do të bësh tamponin dhe do të dalësh nga spitali, mjekimet do t’i bësh në shtëpi”. Për momentin nuk po e besoja si mund të dilja pasi ndihesha akoma keq. Vendimi i saj duhej respektuar, si kolege, si shoqe, si profesioniste. Atë darkë u gjenda në shtëpi ku vazhdoj akoma edhe sot që ndihem më mirë. Po luftoj akoma. Them se ja dola.
Por do të kisha një apel për të gjithë ju, si mjek, si njeri që provova mbi kurrizin tim se çdo të thotë të sëmuresh nga Covid-19. Unë “armiku” i përditshëm familjes time, nuk munda të ndaloj infektimin me gjithë masat që jam munduar të zbatoj. Si një person që u bëra dëshmitar i këtij virusi të tmerrshëm apeloj për të gjithë njerëzit kudo qofshin: Nuk ka shtet që tju mbrojë nga Covid-19. Duhet të ruheni vetë. Ruajeni veten, familjen, të afërmit dhe gjithë të tjerët. Vetëm një front i përbashkët pa “të çara” mund të bëjë diçka. Sistemi Shëndetësor në këtë lloj infeksioni është dhe bëhet shumë i brishtë, aq sa mund të bëhet gjithnjë e më i pafuqishëm që të përballojë gjithë fluksin e të sëmurëve që mund të paraqiten. Sistemi shëndetësor ka limitet e tij. Të rëndësishme janë burimet njerëzore, pasuria më e madhe, sidomos në këto momente. Edhe ato duhen ruajtur me qëllim që gjërat të funksionojnë sa më normalisht. Në përfundim, e vetmja armë për tu përballur me këtë virus të tmerrshëm është vetëmbrojtja dhe vetëm vetëmbrojtja. Mirënjohje dhe vetëm shpresë për të gjithë.
Shefki Meta