Ish-sulmuesi shqiptar Ilir Pernaska feston 69 vjetorin e lindjes këtë të enjte. Një urim i veçantë i ka ardhur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili e quan “bomber” dhe simbol të golit në futbollin shqiptar për mëse një dekadë.
Urimi i Presidentit Meta:
Sa shumë fëmijë dekada më parë ëndërronin të bënin gola si ato të Ilir Përnaskës, “bomberit” të Dinamos dhe Ekipit Kombëtar.
Shumë prej tyre i hynë rrugës së sportit dhe u bënë emra të njohur të futbollit. Ndërsa të tjerët ende sot i kujtojnë me nostalgji golat dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e blertë.
Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri dhe Shyqyri Ballgjini hynë në historinë e sportit shqiptar si treshja sulmuese më spektakolare dhe e papërsëritshme e “Dinamos” dhe futbollit tonë të viteve ’70, të cilët me meritë dhe talent fituan respektin, admirimin dhe duartrokitjet e shumë brezave, veçanërisht të të rinjve që i patën shembuj frymëzimi në sport dhe në jetë.
Vetë Pernaska u shndërrua në simbol të golit në futbollin shqiptar për më se një dekade, veçanërisht të shënimit me kokë, duke fituar me Dinamon e madhe të asaj periudhë 5 kampionate kombëtare, tri Kupa Republike, dy Spartakiada Kombëtare, si dhe u shpall 6 herë radhazi golshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar.
Sot në 69-vjetorin e lindjes së Ilir Përnaskës, kam kënaqësinë t’i uroj edhe 100 pranvera të reja, me shëndet të plotë!
Gëzuar ditëlindjen “BOMBER”.