Një video është bërë virale në rrjetet sociale, por jo vetëm, me protagonist dy ish-futbollistët e Partizanit, Jasir Asani dhe Labinot Ibrahimi, që komunikojnë virtualisht në kohë karantine prej Covid-19. Të dy këta kishin një raport të ftohtë me Franco Lerdën, paraardhësin e Adolfo Sormanit në stolin e kuq, ndaj edhe u larguan nga “demat”. Videoja në fjalë i përket komunikimit online me tifozët, me pyetje e përgjigje.
Në një moment, një nga tifozët e kuq iu kujton atyre ish-trajnerin e Partizanit, Franco Lerda. Asani përgjigjet me shaka: “Mos e ofendo babanë e Labit tani, Lerdën”. Nuk ngurron edhe Labi, që ta “lëshojë gjuhën”: “Lerda merda”, Nuk ka shumë nevojë për përkthim ky togfjalësh, sepse e krahason ish-trajnerin Italian të të kuqve me mu***….
Përmes rrjeteve sociale, Ibrahimi ka kërkuar të sqarohet mbi këtë situatë: “Përshëndetje të gjithëve. Uroj të jeni mirë në këtë situatë të vshtirë që po kalojmë të gjithë. Ndihem i detyruar të reagoj për nje lajm të publikuar sot në portalet shqiptare, ku shfaqet një video, në të cilën unë, gjasme shaj ish-trajnerin e Partizanit, Franco Lerda. E vërteta është krejt ndryshe, sepse video nuk jepet e plotë. Kam qenë në një bisedë me mikun tim, Jasir Asanin, dhe dikush nga ndjekësit po komentonte për ish-trajnerin tonë.
Në atë moment kam lexuar fjalët e tij, siç po bëja dhe me atë që shkruanin të tjerët. E ndiej obligim moral të sqaroj të vërtetën, sepse të gjithë e dini se Labi është profesionist, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Duke iu kërkuar sa më shumë vërtetësi mediave në atë që publikojnë dhe jo atë që duan të tregojnë, ju uroj të jeni të gjithë mirë. Zoti ju rujt! Ju përshëndes, i juaji, Labinot Ibrahimi!”.