Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi, por pala kosovare ende nuk është në dijeni se cila është agjenda në Uashington dhe temat që do të diskutohen.
Kryeministri, Avdullah Hoti në një diskutim me shoqërinë civile ka treguar se qëllimi i tyre në këtë takim të parë është diskutimi mbi parimet e dialogut.
Derisa ka mohuar se ky takim mund të prodhoj marrëveshje.
Ai ka mohuar se do të ketë shkëmbim territoresh e këtë e ka mbështetur edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet.
“Ndryshimi i kufijve përgjatë linjave etnike nuk qon në zgjidhje, ndryshimi i kufijve nuk ka funksionuar kurrë. Ne e dimë që në Ballkan dhe Evropë kur jemi përpjekur të zgjidhim një problem duke lëvizur popullatën nuk ka funksionuar sepse konflikti ka filluar përsëri. Pra nuk kemi ndonjë shembull të historisë moderne bashkëkohore ku ndryshimi i territoreve ka mundësuar normalizimin dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve mes shteteve”, ka thënë Ambasadori Lebet.
Në anën tjetër, Hoti tregoi se i ka premtuar emisarit amerikan ndaljen e procesit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare vetëm deri me 27 qershor.
Pas takimit me shoqërinë civile, Kryeministri Hoti të enjten në ora 11 ka ftuar edhe partitë politike për diskutim para nisjes në Uashington.
Ftesën e ka refuzuar sërish Lëvizja Vetëvendosje.
Burimi: top-channel.tv