Hapet kopshti e çerdhja e re për 150 fëmijë në Kombinat – Lajmi i Fundit

0
Gjigandi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përuroi sot kopshtin dhe çerdhen e re Nr. 34 në Kombinat, e cila frekuentohet nga 150 fëmijë.

Risia e këtij kopshti është jo vetëm ofrimi i shërbimit psikosocial, por edhe prania e mjekut që monitoron zhvillimin fizik të fëmijëve, e veçanërisht të atyre me nevoja të veçanta.
Veliaj: Jam shumë i lumtur që logopedistët, psikologët, i gjithë stafi ynë ndihmës, do t’i kushtojë një hapësirë të veçantë fizike, por edhe kohore, të gjithë engjëjve tanë që kanë aftësi ndryshe, të cilët meritojnë të njëjtin shans për sukses, si gjithë fëmijët e tjerë të Tiranës.
Hapja e këtij kopshti vjen menjëherë pas tërmetit, ndërkohë që edukatoret dhe psikologët po kujdesen që fëmijët ta kalojnë më lehtë atë.
Veliaj: Fakti që po e hapim pas një fatkeqësie natyrore, pra fëmijët e filluan javën pas tërmetit me një kopsht të ri, me mësuese, me edukatore, me psikologë, me asistentë që shpjegojnë edhe nëpërmjet lojës se çfarë ndodh kur tronditet toka, besoj se tranzicionin nga java traumatike e kanë kaluar më të butë se kushdo tjetër, në këtë hapësirë fantastike.
Ai shtoi se pasojat e tërmetit, por edhe të reshjeve të fundit, meritojnë një vëmendje dhe një reflektim për atë që i kemi bërë natyrës.
Veliaj: Tërmeti nuk ishte vetëm një dukuri natyrore, por provokoi edhe një debat mbi mentalitetin tonë, mbi faktin se ndërtojmë kuturu, zaptojmë hapësirat publike, bëjmë shtesa mbi shtesa, arna mbi arna, sajesa mbi sajesa. Ky është edhe një apel për të ndryshuar mentalitetin. Ky është mentaliteti ynë: hedhim goma, ndezim zjarre, ndërtojmë mbi përrenj dhe lumenj, i hedhim frigoriferët, lavatriçet, kolltuqet në Lanë.
Kryebashkiaku siguroi të gjithë banorët e prekur nga pasojat e tërmetit se banesat e tyre të dëmtuara do të rindërtohen, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin e biznesit.
Veliaj: Shumica e shtëpive që janë prishur nga tërmeti, janë shtëpi kryesisht të ndërtuara në mënyrë primitive. Doja shumë që të vazhdojmë edhe me adoptimin e disa hapësirave që kemi identifikuar këtu në Kombinat, apo në zonat përreth. Pra, për të gjithë donatorët që duan të adoptojnë një shtëpi në Kombinat, të sigurohemi që, siç kemi bërë shtëpinë e përbashkët, ashtu edhe shtëpitë individuale t’i bëjmë në kohë rekord, para Vitit të Ri, qoftë për banesat më të dëmtuara, qoftë me disbursimin e parave për banesat më pak të dëmtuara.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu