Shqipëria ndërmerr hapin e rëndësishëm, sot nisin bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian, ndalesa e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Një moment ky i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, sa i përket liberalizimit të vizave.
Në Bruksel u zhvillua Konferenca e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Faza e parë përfshin shqyrtimin rigoroz të legjislacionit të vendit kandidat.
Negociatat pastaj vazhdojnë në mënyrë metodike, përmes një legjislacioni të BE-së, të cilin vendi kandidat duhet ta miratojë dhe ta zbatojë.
Ato shtrihen edhe në të drejta dhe detyrime të tjera, që të gjitha shtetet anëtare duhet t’i pranojnë.
Pjesa ceremoniale e tryezës së hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së në Bruksel zgjati rreth 40 minuta, teksa Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë, 19 minuta.
Kreu i qeverisë preku në fjalimin e tij gjithçka, por një term që Rama nuk e përmendi në asnjë moment ishte opozita. Në momentin që u pyet nga një gazetar i pranishëm, Rama u përpoq të dredhojë në përgjigjen e tij, se nuk e di cila është opozita. Nga ana tjetër, Rama arrestimet e kabinetit të tij për korrupsion i ka konsideruar si arritje të drejtësisë, që sipas tij po funksion në mënyrë të barabartë.
16 vjet nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, 8 vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe që prej vitit 2014 në pritje. Çelja e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me Bashkimin Europian, është përshëndetur edhe nga CDU-CSU në Gjermani. Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që nis me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian. Komisioni Europian do të nisë ekipet që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore në Shqipëri, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre./Abc24.al