Gjykata zbardh komunikimet e ish-ministrit me të pandehurit, ja se si i shmangte Tahiri kushërinjtë

0
Gjykata zbardh komunikimet e ish-ministrit me të pandehurit, ja se si i shmangte Tahiri kushërinjtë
Gjigandi

Në vijim të publikimit të arsyetimit të GJKKO-së se përse u dënua Saimir Tahiri për “Shpërdorim detyre”, sjellim një zhvillim interesant që gjendet në dosje. Bëhet fjalë për lidhjen mes të pandehurve të dosjes, mënyrën se si komunikonin dhe telefonatat hyrëse dhe dalëse mes protagonistëve, konkretisht, Saimir Tahirit, Jaeld Çelës, Gjergji Kohilës, Sokol Bodes, Moisi, Artan dhe Florjan Habilajt si dhe Orest Sotës, dhe familjarëve, miqve dhe shoferëve të Saimir Tahirit.

Janë dy momente të veçanta që shënjojnë këtë fazë të hetimit: e para lidhet me faktin që verifikimi i komunikimeve telefonike mes të pandehurve, është marrë si periudhë kohore nga fundi i vitit 2015 e në vazhdim.

Momenti i dytë ka të bëjë me faktin që prokuroria shqiptare nuk ka zbardhur asnjë nga qindra e mijëra komunikime të drejtpërdrejta dhe të ndërsjella mes protagonistëve edhe pas nisjes së procedimeve penale në ngarkim të tyre.

I vetmi përgjim që është dokumentuar në këtë praktikë hetimore lidhet me një përgjim të bërë nga autoritetet italiane, të cilat nxjerrin bisedën mes Moisi Habilajt dhe një burri me emrin Kujtim që flasin edhe me një burrë tjetër me emrin Bashkim! Në numërimin e komunikimeve të ish-ministrit, bisedat më të shumta e ka realizuar në numër me Jaeld Çelën, ish-kryepolicin e Vlorës.

Po ashtu, interesant është fakti që Tahiri ka komunikuar disa herë edhe me Orest Sotën, të riun që iu kapen patentat e Tahirit dhe të bashkëshortes së tij në makinë. Por Prokuroria, në hetimin paraprak, nuk ka verifikuar asnjë komunikim të drejtpërdrejtë mes Tahirit dhe të Habilajve, por ka zbuluar me qindra komunikime me personat që kishin komunikime 3 vëllezërit Habilaj, madje edhe anëtarët e tjerë të bandës kriminale.

RonaTyra

Po ashtu, Habilajve u janë zbuluar komunikime me të gjithë eksponentët e Policisë që janë në dosje, po ashtu edhe me Kujtim Tahirin, që sipas dosjes, është xhaxhai i Saimir Tahirit.

PËRGJIMET NGA ANTIMAFIA

-Nga përgjimet telefonike të kryera nga autoritetet gjyqësore italiane, të ardhura në përmbushje të letër-porosisë së dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka rezultuar komunikimi telefonik mes të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj me një shtetas të paidentifikuar nga autoritetet italiane që përdorte numrin celular shqiptar 00355695392503 (që rezulton se është në përdorim të shtetasit Kujtim Tahiri, ungji i të pandehurit Saimir Tahiri, siç do të përmendet edhe më poshtë në vendim) dhe konkretisht:

-Numri i telefonit i përgjuar 3688040383 në përdorim të Moisi Habilajt-Progresive nr. 1203, data 10.07.2014, në orën 09:15, përgjuar si dalëse drejt numrit 00355695392503 në përdorim të një burri të paidentifikuar mirë: Burri shqiptar merr në telefon Moisiun. Pas përshëndetjeve burri thotë se mori vesh që janë lodhur dhe më pas e pyet nëse e mbaruan punën dhe nëse shkoi mirë. Moisiu i përgjigjet që po.

Më pas, Moisiu thotë që ndodhet në dhomë, në shoqërinë e një “Gjiganti/Bashkim”, të cilit i kalon menjëherë telefonin. Më pas, vijon biseda mes burrit shqiptar dhe Bashkimit. Gjatë bisedës burri e pyet nëse do të kthehen nesër. Bashkimi i thotë se do të nisen me avionin e orës 21:30 dhe do të arrijnë në Tiranë në orën 23:00.

Nga verifikimet e mëtejshme në lidhje me mënyrën e pagesës së biletave të udhëtimit, ka rezultuar se pagesat e biletave janë bërë “cash” nëpërmjet agjencisë së udhëtimit “Sava Tours” nga Fatlinda Tahiri dhe Bashkim Tahiri, ndërsa nga Moisi Habilaj është bërë me kartë krediti nëpërmjet faqes së internetit të shoqërisë “Alitalia”. Me shkresën nr. 31346/1 prot., datë 27.07.2018, të “Credins”, Tiranë, është konfirmuar se karta “Visa Prepaid” (me CV me numër përkatës) është në emër të shtetasit Arsen Shpëtim Lilaj nga Vlora.

Nga ana tjetër, nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se nuk është regjistruar në këtë sistem dalja dhe hyrja e shtetasve Fatlinda Tahiri dhe Bashkim Tahiri në datat 08.07.2014 dhe 10.07.2014. Është regjistruar vetëm dalja dhe hyrja e Moisi Habilajt në këto data.

KOMUNIKIMET TELEFONIKE

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka verifikuar edhe komunikimet telefonike të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, të të pandehurve në procedim të lidhur Gjergji Kohila, Sokol Bode, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, etj., si dhe të shtetasve Artan Habilaj, Orest Sota etj., për periudhën që të dhënat kanë qenë të disponueshme nga shoqëritë celulare (nga fundi i vitit 2015 e në vazhdim). Verifikimi dhe analiza e këtyre komunikimeve është bërë vetëm për ato numra telefonikë që janë arritur të evidentohen gjatë hetimit paraprak. Nga procesverbalet e këqyrjes së të dhënave telefonike dhe nga procesverbali për këqyrjen dhe analizimin e tabulateve telefonike të procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, (dërguar me shkresën nr. 247/1k prot., datë 22.02.2019, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit) rezulton se:

I pandehuri z. Saimir Tahiri me dy numrat celularë në përdorim të tij, 0682079524 dhe 0682052748:

-Nuk ka pasur komunikime telefonike me ndonjë nga numrat celularë në përdorim të të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj dhe shtetasit z. Artan Habilaj;

-Ka komunikime të shumta, të ndërsjella, me të pandehurin Jaeld Çela me numrat në përdorim të këtij të fundit 0694102188 dhe 0694683312 (371 komunikime mes numrave 0694102188 – 0682079524, 295 komunikime 0694102188 – 0682052748, 7 komunikime 0694683312 – 0682079524), gjithsej 673 komunikime;

-Ka një komunikim nga i pandehuri në procedim të lidhur Gjergji Kohila me numër celular 0694119551 drejt të pandehurit Saimir Tahiri me numër 0682052748;

Nuk kanë rezultuar komunikime mes numrave telefonikë të të pandehurit Saimir Tahiri me numrat e evidentuar të ndonjë prej të pandehurve e tjerë në procedim të lidhur si dhe as me shtetasen Brunilda Alikaj; ka komunikime të shumta, të ndërsjella, me shtetasin Boge Budini me numër celular 0682005336 (214 komunikime 0682005336 – 0682079524, 149 komunikime 0682005336 – 0682052748);

-Ka komunikime të ndërsjella me shtetasin Orest Sota me numrat e këtij të fundit 0692108018 dhe 0662020116 (7 komunikime 0692108018 – 0682079524, 17 komunikime 0692108018 – 0682052748, 20 komunikime 0662020116 – 0682079524, 21 komunikime 0662020116 – 0682052748). Komunikimet e të pandehurit z. Saimir Tahiri me shtetasin Orest Sota me numrin 0662020116 i përkasin periudhës 20.02.2016 – 03.10.2017.

-Sipas shkresës nr. FRS/4377/EP, datë 23.10.2017, të shoqërisë Vodafone Albania, të këqyrur me procesverbalin e datës 17.01.2018, rezulton se numri celular 0682052748 është i regjistruar në emër të shtetasit z. Evi Robo, por përdorej nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, fakt që është pohuar edhe prej tij në deklarimet e dhëna gjatë hetimit paraprak, por rezulton edhe nga telefoni i shtetasit Orest Sota në të cilin numrat celularë 0682079524 dhe 0682052748 i ka të regjistruar me emrin “Saimir Tahiri” (siç del nga procesverbali përkatës i këqyrjes).

-Vërehen komunikime të shumta të të pandehurit Saimir Tahiri (0682079524 dhe 0682052748) me numra celularë që kanë komunikime njëkohësisht edhe me të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Florian Habilaj, etj., (të dhëna të pa hetuara më tej gjatë hetimit paraprak). Edhe i pandehuri Jaeld Çela ka komunikime të kësaj natyre, megjithatë në numër më të vogël. Kështu rezulton se pandehuri Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime të ndërsjella me numrin celular 0694105081, numër me të cilin:

-Ka komunikime të ndërsjella edhe i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj me numër 0698888802; -Ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj me numër 0695441199; -Ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj me numër 0696525777; -Ka komunikime të ndërsjella edhe i pandehuri Jaeld Çela me numër 0694102188 etj. (Janë me dhjetëra numra të paidentifikuar nga hetimi që kanë komunikime të tilla të përfshirë në këtë dosje)

DËSHMIA E TAHIRIT DHE LIDHJA ME HABILAJT

-Më datë 27.10.2017 është pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime Saimir Tahiri. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm për secilën nga akuzat që i drejtohet, se nuk ka asnjë lidhje me akuzat dhe personat të cilët rezultojnë të dyshuar nga prokuroria dhe me veprimtarinë e tyre kriminale sipas akuzave. Ai ka deklaruar se ka lidhje farefisnore shumë të largët me Moisi dhe Florian Habilaj dhe se nuk kujton të ketë pasur ndonjëherë njohje personale me secilin prej tyre.

Edhe për shtetasin Artan Habilaj ka sqaruar se ka lidhje shumë të largët farefisnore dhe se mund ta ketë takuar nja dy herë vite më përpara por se nuk i kujtohet ekzaktësisht. I pyetur lidhur me automjetin “Audi A8” me targa “AA 003 GB”, ai ka deklaruar se ka pasur një procedim penal lidhur me këtë mjet nga Prokuroria e Fierit nr. 1582, datë 29.12.2015 dhe në përfundim të së cilit është vendosur pushimi i çështjes penale dhe se me detaje në këtë fashikull hetimi janë të administruara të gjitha shpjegimet dhe rrethanat lidhur me këtë çështje.

I pandehuri ka kërkuar që të administrohet kjo dosje penale zyrtarisht nga ana e prokurorisë në procedimin penal që zhvillohej kundër tij. I pandehuri ka deklaruar se, gjatë kohës që ka qenë ministër i Brendshëm, ka përdorur dy numra telefoni, konkretisht 0682079524, të cilin e ka pasur para se të merrte detyrën dhe e ka pasur numër personal dhe 0682052748, të cilin e ka pasur në përdorim si numër zyre dhe pune dhe se edhe këtë numër e ka pasur para se të merrte detyrën dhe se e ka përdorur për të përmbushur detyrat në çdo funksion që ka pasur. Ai ka sqaruar se ky numër përdorej edhe nga ndihmësit dhe stafi i tij për përmbushje të funksioneve të tij.

-Shtetasi z. Kujtim Tahiri rezulton nga aktet e fashikullit gjyqësor se ka ndërmjetësuar edhe një takim mes të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe shtetasit z. Artan Habilaj në shtator të vitit 2017. Nga përgjim i numrit telefonik 0692055777, të shtetasit z. Artan Habilaj, i kryer në kuadër të Procedimit Penal nr. 134, të vitit 2016, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, rezulton se më datë 17.09.2017 shtetasi Kujtim Tahiri, me numër telefonik 0695392503, telefonon shtetasin z. Artan Habilaj, me numër 0692055777, dhe i thotë se kërkonte ta takonte personi të cilin e identifikon me emrin e fëmijës së personit dhe mbiemrin “i madh”. Në citimin e mëposhtëm gjykata jep vetëm inicialet e emrit të fëmijës së të pandehurit z. Saimir Tahiri, për shkak se është i mitur, por në përgjim emri përmendet i plotë.

Bisedat paraqiten si vijon:

“Datë 17.09.2017, ora 18:38:30, Kujtim Tahiri, me numër 0695392503, telefonon Artan Habilajn, me numër 0692055777:

503 – Ku je?

777 – Në punë. Ç’a kishe vlla?

503 – Më tha ai “D . i madh”, nqs vjen ai që sjell vajzën në Durrës thuaj të vijë të më takojë mua deri atje, po qe se vjen.

777 – Po thuaj është urgjent të vete sot, apo të vete nesër? 503 – Ja ta pyes.

777 – Okej vlla. Datë 17.09.2017, ora 19:00:04. Artan Habilaj, me numër 0692055777, telefonon Kujtim Tahirin, me numër 0695392503:

503 – S’ka problem dhe nesër tha.

777 – Okej në rregull.

503 – Po t’ishte afër kishim ashtu tha ..

777 – Ti do të vish naj xhiro nesër? Vemi bashkë .

503 – Nuk e di, flasim nesër.

777 – Okej çao çao . Datë 18.09.2017, ora 20:01:11, Artan Habilaj, me numër 0692055777, telefonohet nga një shtetas i paidentifikuar me numër telefonik 0692286554:

777 – Hë mo shef! 554 – Se më dërguan nja katër fotografi. Ku ishit në ça vendi?

777 – Aty në Tiranë, te ai . te kunati i shokut Xhemal .

554 – Po me ça rasti?

777 – Po jo mo, kisha një punë unë dhe ika me Kujtimin se unë nuk kisha patentë dhe vajtëm bashkë.

Siç rezulton nga përgjimi i fundit, të nesërmen e takimit, Artan Habilaj, në një bisedë të kryer me një person të paidentifikuar, konfirmon takimin në fjalë ku kishte qenë me Kujtim Tahirin në Tiranë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu