Komisioni Institucional Zgjedhor i Universitetit të Tiranës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së parë në kryeqytet që rrëzoi kërkesën e një grupi studentësh për pezullimin e procesit zgjedhor në institucionet e arsimit të lartë.
KIZ shprehet se përshëndet këtë vendim, duke shtuar se inkurajojnë një proces zgjedhor në universitet, që të jetë i drejtë dhe i paanshëm.
Njoftimi i KIZ:
DEKLARATË
Komisioni Institucional Zgjedhor i Universitetit të Tiranës përshëndet vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë që rrëzoi kërkesën e një grupi studentësh për pezullimin e procesit zgjedhor në institucionet e arsimit të lartë.
KIZ për Universitetin e Tiranës e vlerëson këte vendim si inkurajim në veprimtarinë tonë të deritanishme në funksion të garantimit të një procesi sa më të drejtë, të paanshëm, të ndershëm, transparent, të pavarur nga çdo ndërhyrje e grupeve të ndryshme të interesit që cënojnë demokracinë dhe autonominë universitare, vendim që mbron demokracinë zgjedhore universitare dhe mundëson rotacionin e autoriteteve dhe organeve drejtuese përmes votës së lirë të studentëve dhe personelit akademik përmes një procesi të ligjshëm zgjedhor në universitetet publike në vend.
Ky proces zgjedhor do të jetë edhe garantimi i një sinergjie shumëdimensionale institucionale për përmbyllje të suksesshme të këtij Viti Akademik por edhe një fillim i mbarë për vitin akademik të ardhshëm.
Çdo interpretim tjetër, si ai se është duke u penguar e drejta e zgjedhjeve është një tymnajë të cilën Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë e shpërndau duke respektuar e ritheksuar parimin e ligjshmërisë së tyre.
Ky Vendim i dha përgjigjen pretenduesve në të kundërt dhe krijoi kushtet ligjore për të ndaluar qendrimin në funksione drejtuese përtej afateve të ushtrimit të mandatit.
I bëjmë thirrje të gjithë trupës zgjedhore të Universitetit të Tiranës që në detyrim të autonomisë dhe të demokracisë së brendshme universitare ta konsiderojmë ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për tú zgjedhur si kontributin më të madh për rritjen e cilësisë së veprimtarisë akademike dhe kërkimit shkencor nga personeli akademik dhe studentët e të gjithë cikleve në Universitetin e Tiranës.