Gjykata e Tiranës ka njohur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të mbajtur më 11 dhjetor me iniciativë të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke njohur edhe ndryshimet e statutit të partisë të votuara nga ky kuvend.
Me njohjen e këtij vendimi, janë shkarkuar strukturat drejtuese të PD-së, siç edhe u kaluan më votë dhe u miratuan gjatë Kuvendit të 11 dhjetorit.
Aktualisht PD-ja është e ndarë në disa grupime dhe pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, po bëhen përpjekje për bashkim edhe pse palët nuk janë ulur ende në bisedime.
Kuvendi i dhjetorit i PD-së u mbajt në stadiumin “Air Albania” me drejtues Sali Berishën, mirëpo u cilësua si jo legjitim nga ish-kreu i PD-së Basha.
Më 18 mars, Gjykata njohu ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut që u mbajt në pallatin e Kongreseve, ku u morën disa vendime.
/abc24.al/