Brendan Rodgers ka folur për Liverpoolin për herë të parë që nga shkarkimi në vitin 2015.
Rodgers, i cili tash drejton Leicester City-n, ka rikujtuar rrëshqitjen e famshme të Gerrard ndaj Chelsea.
Ish-mesfushori anglez pranoi pasim nga Mamadou Sakho dhe rrëshqiti duke e falur topin te Demba Ba, i cili vrapo drejt portës dhe e shënoi golin e parë të Bluve, të cilët e fituan atë ndeshje me rezultat 2-0 dhe Liverpooli dështoi ta fitonte titullin (të cilin nuk e ka fituar që nga viti 1990).
“Nuk e ngarkoj veten me atë. Ishte ndryshe për Stevien si kapiten dhe vërtet e dëshironte atë titull. Sipas meje, mendoj se bëmë gjithçka që mund të bënim, por nuk ia dolëm”, tha ai.
“Nëse gjatë 38 ndeshjeve nuk e fiton ligën, atëherë nuk e meriton ta fitosh. Por, a mendoj për ndeshjen ndaj Chelseat? Po, nganjëherë më kujtohet dhe mendoj sa mirë luajtëm për 70 minuta”.
“Ishim të pafat që pranuam gol para pushimit të pjesës së parë. Po të kishim pasur pakëz më shumë përvojë, nuk do të ishim aq të furishëm në 20 minutat e fundit. Mirëpo, unë më shpesh e analizoj gjithë sezonit, ne thjesht dështuam”, ka deklaruar Rodgers.