Kryetari i komuës së Çairit, Visar Ganiu, ka deklaruar për gazetarin Reshat Ibrahimi s’e është një tifoz i madh i skuadrës së FC Shkupi. Kreu i Çairit më herët ka qenë futbollist, pastaj trajner, disa herë edhe i kësaj skuadre.
“FC Shkupi është klubi për të cilin bëj tifo që nga fëmijëria. Këtu kam nisur hapat e parë të topkëmbës. Kam qenë edhe trajner i grupmoshave të reja, duke fituar tituj, ndërsa disa herë isha edhe trajner i ekipit të parë. Andaj ruaj shumë kujtime me FC Shkupi. Sa herë që kam kohë të lirë vij në stadium për të mbështetur ekipin tim që e kam në zemër”, deklaron Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.
“Nga klubet europiane bëj tifo për AC Milanin e Italisë, por kohën e fundit nuk po i ecin punët si duhet. Unë kam qenë tifoz me Milanin që në kohën kur luante marko van Basten”, zbulon Visar Ganiu për gazetarin Reshat Ibrahimi.
Ndryshe, Visar Ganiu është i lindur në vitin 1978 në Çair të Shkupit. Karrierën si futbollistë e kishte nisur në vitin 1996/97 te Slloga Jugomagnat (Shkupi i sotëm), pastaj në Bashkimi të Kumanovës (1998), Butel (1999-2000), Korabi i Dibrës (2001-2002), (Butel 2003-2004).
Në vitin 2005 filloi si trajner te moshat e reja të FC Shkupi. Në vitin 2007 u zgjodh trajner i vitit në Maqedoni.
Kampionatin dhe kupën e Maqedonisë e ka fituar dy herë me kadetët dhe tre herë me juniorët e FC Shkupi.
Ishte ndihmëstrajner i Mensur Nexhipit te skuadra seniore e FC Shkupi dhe tre herë trajner i ekipit të parë.
Gjithashtu ishte seleksionues i U17 dhe U19 të Maqedonisë, si dhe ndihmëstrajner i reprezentacionit A të Maqedonisë së Veriut. Visar Ganiu është i martuar dhe ka tre fëmijë./reshat ibrahimi/.