Elez Gjoza: Përjashtim përjetë nëse rezulton pozitiv edhe në testin B

0
7
Gjigandi

Pas daljes pozitive me doping të Herlsjon Ismailanjt në testin e parë, ka ardhur edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Elez Gjoza tregon qëndrimin e federatës:

“Është një kontroll i bërë nga FSHP, pasi ne nuk fusim asnjeri në garë pa u bërë kontrolle.

Testi për Hersljon Ismailanj është bërë që më datë 1 maj. Sportisti nuk ka bërë fare kontroll nga Federata Europiane. Përgjigjja na ka ardhur para 3-4 ditësh. WADA ka një afat prej 21 ditësh për të dhënë përgjigjen përfundimtare dhe duhet të na i kishte kthyer me kohë rezultatet e testeve”, shprehet fillimisht Gjoza. Më tej, presidenti i FSHP-së konfirmon se federata do të ketë dorë të hekurt duke përjashtuar përjetësisht çdo sportist që del me doping:

“E kam thënë disa herë dhe e përsëris se për çdo sportist që kapet pozitiv me doping përjashtohet përgjithmonë nga peshëngritja. Federata është e qartë, kushdo qoftë personi që kapet, pak rëndësi ka nëse e kap Federata Shqiptare, Europiane apo Botërore, ai përjashtohet për gjithë jetën nga sporti. Nëse Federata Europiane e ka 2 vite apo ajo Botërore 4 vite, FSHP e ka përjetësisht. Njerëzit e papërgjegjshëm duhet të bëhen të përgjegjshëm”, thotë Gjoza, i cili më pas thekson se duhet pritur edhe përgjigjja e dytë, pasi sportisti ka të drejtën e testit B:

“Ne nuk duhet që të ngutemi, sepse sportisti ka të drejtën të rikërkojë kontrollin, pasi mund të ketë qenë me grip dhe mund të ketë marrë një antibiotik apo një ilaç tjetër. Prandaj ekziston edhe testi B dhe nuk mund ta akuzojmë menjëherë. Por në rast se edhe nga testi B ky sportist na del përsëri pozitiv, ai atëherë përjashtohet për të gjithë jetën.

Por them që nuk duhet të nxitohemi dhe ta dëmtojmë sportistin pa pritur edhe testin B. Tani i takon atij që të ndjekë të gjithë hapat

. Ai do të vijë nesër (sot) nga Greqia dhe do të më takojë mua së bashku me bordin ekzekutiv dhe do të tregojë të gjithë versionin e tij me ilaçet që ka marrë dhe jam i sigurt që do të kërkojë testin B. E gjithë kjo duhet parë si një sukses i FSHP-së, që nuk lejon njeri me pozitiv dhe përjashton këdo, pa pritur nga ndërkombëtarët”,

përfundon Gjoza.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu