Ka trajnerë që netët europiane më të rëndësishme i bëjnë të vetat. Shembulli më i mrekullueshëm përfaqësohet nga finalet e kompeticioneve të ndryshme, nga fakti se ato nuk pranojnë gabime dhe të gjithë ëndërrojnë.
Për José Mourinho, finalja e Tiranës, e edicionit të parë të “Conference League” është një nga ato historike, që mund ta katalizojë më tej brenda elitës së futbollit ndërkombëtar. Nëse me Romën e tij mposht Feyenoord-in në “Arena Kombëtare”, ai do të bëhej trajneri i parë në histori që fiton Champions League, Ligën e Evropës dhe “Conferenca League”. Kjo e fundit, qysh në edicionin e parë e sheh menjëherë si protagonist trajnerin portugez.
Po si janë raportet mes Mourinho dhe finaleve në Europë? Bilanci flet për katër triumfe dhe tri humbje, pra paksa pozitiv. Hera e parë ndonjëherë ishte në sezonin 2002-2003, në aktin e fundit të asaj që atëherë quhej ende Kupa UEFA. Në Seville, Porto e tij kaloi më mirë nga Celtic, e fitoi finalen 3-2.
Kupa UEFA lejoi që Superkupa Evropiane të luhej kundër Milanit të Ancelottit më 29 gusht 2003. Këtë herë yjet nuk ishin në favor të luzitanit, i cili u “palos” nga një goditje e Shevchenko qysh në fillim. Rezultati mbeti i njëjtë deri në bilbilin e trefishtë, duke përcaktuar kështu zhgënjimin e parë ndërkombëtar për “Special One”.
Shpagimi i bujshëm, megjithatë, ndodhi në Ligën e Kampionëve 2003-2004, e fituar jashtë çdo parashikimi nga Porto e tij. Pa histori finalja me Monaco, e vendosur nga Carlos Alberto, Deco dhe Alenicevi i zakonshëm. Kjo ishte dhurata e lamtumirës për “Dragonjtë”, sepse Jose mori përsipër sfidën në krye të Chelsea të ri të Roman Abramovich.
Asnjë finale evropiane gjatë eksperiencës së parë në Londër, aq sa për ta parë Mourinhon në këtë “stacion” do të duhej të prisnim deri më 22 maj 2010, datë historike për tifozët e Interit. Në “Bernabeu” u kompletua tripleta historike zikaltër, falë 2-0 ndaj Bayern Munich. Ishte Diego Milito, me golat e tij, ai që “dogji” gjermanët.
Tri vite më vonë, pas tri sezoneve të kaluara te Real Madridi, Mourinho u kthye në stolin e Chelsea dhe startoi me një humbje të zjarrtë në finalen e Superkupës së Evropës kundër Bayern Munich. Pas 2-2 në kohën e rregullt dhe atë shtesë, finalja pati nevojë për gjuajtjet e penalltive, me gabimin vendimtar të Romelu Lukakut, asokohe shumë i ri, ende larg vlerave aktuale teknike dhe fizike.
Nga Chelsea te rivalët e Manchester United në sezonin 2016-2017 dhe menjëherë fitues i “Europa League”, falë triumfit në finalen kundër Ajax. Rezultati 2-0 u nënshkrua nga Pogba dhe Mkhitaryan në Solna të Suedisë. Trofe i dobishëm për “Djajtë e Kuq”, që të festojnë kulmin e parë në historinë e këtij kompeticioni.
Disa muaj më vonë, më 8 gusht 2017, Manchester United kapitulloi para kampionëve të Evropës, Real Madridi, duke humbur Superkupën e Evropës. Në Shkup, goli i Lukakut nuk mjaftoi përballë dopietës së Casemiro dhe golit të Isco, të cilët morën edhe një tjetër trofe në epokën e Zinedine Zidane.
Sot, pothuajse pesë vite më vonë, Mourinho ka mundësinë për të fituar edhe më të fundit (e të riun) kompeticion kontinental. Sigurisht, “Conference League” nuk është në nivelin, për sa i përket prestigjit, të trofeve më të mëdhenj, por vlen për t’u marrë në shtëpi. Sepse ky trofe ndihmon për të fituar në vijimësi dhe Mourinho, nga kulmi i përvojës së tij, e di shumë mirë këtë.