Fillon kursi ASMC2, pritshmëri të mëdha nga pjesmarrësit dhe Komiteti Olimpik

0
Gjigandi

Pas përfundimit me sukses të Kursit për Menaxhimin e Avancuar Sportiv ASMC 1, Komiteti Olimpik i Kosovës ka nisur edhe me kursin ASMC2.

Ligjërues të përhershëm të kursit janë: Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS, MEMOS 19 dhe Elda Gjoka, drejtoreshë kombëtare për organizimin e kurseve bazike për administratorë të sportit, MEMOS 9.

Krahas tyre në këtë kurs pritet të ketë edhe ligjërues ndërkombëtar.

Këtë kurs po e vijojnë presidentë, sekretarë të përgjithshëm dhe përfaqësues të lartë të federatave sportive në Kosovë.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës u shpreh se ky kurs do të jetë më i vështirë se kurset tjera, por njëkohësisht është më i vlefshëm, duke pasur parasysh se certifikata e këtij kursi do të vlejë edhe në arenën ndërkombëtarë.

RonaTyra

Hasani: Kursi ASMC 2 më i vështirë dhe më i vlefshëm se kursi ASMC1

“Pas përfundimit me sukses të kursit ASMC 1 po vazhdojmë me ASMC 2 ku janë përfaqësues të 10 federatave do të thotë i kemi 12 persona dhe e veçantë e kësaj është që i kemi 6 femra dhe 6 meshkuj, një kërkesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtare e Solidaritetit Olimpik por që është në linjë me edhe me vizionin dhe misionin e KOK-ut. Pra është një vlerë dhe kjo po tregon që femra në menaxhimin e sportit po fuqizohet secilën herë më tepër. Do të jenë 6 module ku përpos ligjëruesve të përhershëm do të kemi edhe ligjërues ndërkombëtar sepse ky është një nivel shumë i lartë. Certifikatë ka një vlerë të jashtëzakonshme, është certifikatë ndërkombëtare, dhe me këtë certifikate i hapën rrugë atyre që duan të punojnë për organizata ndërkombëtare sportive”, tha Hasani.

Drejtori i departamentit të sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj shtoi se ky kurs është i domosdoshëm për zhvillimin e mirëfilltë të organizatave sportive në Kosovë.

Alaj: ASMC 2 i domosdoshëm për zhvillimin e organizatave sportive

“Duke e ditur që avancimi i sportit apo administrimit të sportit, bëhet përmes avancimit dhe mësimeve të vazhdueshme që do të ketë në sport, kështu që ASMC 2 apo avancimi i kurseve në menaxhimin e sporteve është shumë i domosdoshëm për zhvillimin e organizatave sportive me qëllim që të punohet në plane strategjike në mënyrë që të zhvillohen dhe të jemi në agjendën e organizatave ndërkombëtare, në mënyrë që kalendari i aktiviteteve të jetë i plotë por në të njëjtën kohë edhe resurset humane të jenë të mjaftueshme për zhvillimin dhe organizimin e organizatave tona të cilat janë me synime që të marrin medalje në garat ndërkombëtare”, tha Alaj.

Ndërsa, Elda Gjoka, drejtoresha kombëtare për organizimin e kurseve bazike për administratorë të sportit tha se për të është një privilegj i madh që të vazhdojë punën me Komitetin Olimpik të Kosovës edhe gjatë këtij kursi. Ajo shtoi se njerëzit këtij kursi ia dinë vlerën vetëm atëherë kur ta përfundojnë dhe të marrin certefikatat.

Gjoka: Privilegj të jemë pjesë e këtij kursi

“Ky është nga ato lloj kursi që kur njerëzit nuk e dinë se çfarë vlere ka, vetëm pasi e përfundojnë kuptojnë se çfarë do të kishin humbur. Edhe të shikojmë që kemi një kurs me një balanc, 50% femra, 50% meshkuj, me njerëz që janë në drejtim të organizatave sportive, që përfaqësojnë vullnetin për të çuar përpara sportin e Kosovës, për të arritur objektiva ekselente por edhe për të ditur me punu në ekip profesionistësh, për të ndërtuar një kulturë bashkohore të administrimit në sport, mund të them se është vetëm një privilegj për mua, dhe të kemi mundësin të ndaj, të jap dhe të marr me ta”, u shpreh Gjoka.

Ndërsa, nënkryetari i Federatës së Autosporteve të Kosovës, Agron Dida tha se ky kurs do të i shërbëjë shumë Federatës në të cilën ai punon, për të pasur një organizim sa më të mirë brenda strukturës së kësaj organizate.

Dida: Ky kurs do të na shërbejë shumë për të ardhmen

“Unë mendoj që ngritja dhe pritshmëria prej këtij kursi është shumë domethënëse që edhe më tepër të avancojmë në Federatën e Autosportove të Kosovës dhe në përgjithësi sportit në Kosovë. Besoj që kursi sot që është, është i nivelit të dytë dhe të një niveli pak më i ngritur, është prej një ekipi më të zgjedhur, prej djemve dhe vashave që janë të dhënë pas sportit dhe punojnë për sportin përveç jetës së tyre profesionale dhe familjare”, tha Dida.

Sekretarja e përgjithshëm e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku tha se ky kurs është një kurs i rëndësisë së veçantë pasi që ka të bëjë me menaxhimin e organizatave sportive.

Dushku: ASMC 2 është një  kurs i rëndësisë së veçantë

“Për dallim nga kursi bazë i cili ka qenë dy ditor, dhe ka përfunduar gjithçka aty, ku normalisht që kemi përfituar njohuri të mëdha si Federata e Basketbollit të Kosovës, ky kursi i ASMC është në një nivel krejt tjetër dhe i rëndësisë së veçantë sepse ka të bëjë me menaxhimin e organizatave sportive dhe kjo domethënë që krejt këto çka kam mi mësuar në këtë kurs, do të shkoj dhe do ti delegojë në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Po mendoj që KOK-u me organizimin e një kursi të një niveli të tillë është duke bërë një punë shumë të mirë në shërbim të federatave sportive në Kosovë”, tha Dushku.

Kujtojmë që ky kurs ka gjithsej 6 module dhe pritet të përfundojë në mesin e vitit 2020.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu