Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është i pikëlluar me vdekjen e ish futbollistit gjilanas, Maksut Maksuti.
“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj pedagogut të nderuar, Maksut Maksuti, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Maksut Maksuti ishte njëri nga futbollistët më të spikatur në rininë e tij në qytetin e Gjilanit, teksa falë talentit të tij ishte edhe pjesë e Përzgjedhjes së Kosovës në vitet e 70-ta.
Edhe pasi e braktisi fushën e lojës ai vazhdimisht ishte afër futbollit, duke dhënë kontributin e tij edhe si trajner, teksa u shqua edhe si profesor i dashur i kulturës fizike në edukimin e brezave të shumtë në qytetin e Gjilanit.
Maksuti njihej si njeri i urtë, i palodhshëm në punën e tij dhe me vlera të mëdha, andaj si i tillë do të kujtohet përherë.
Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit në përgjithësi, andaj edhe një herë pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.
Maksut Maksuti
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës dhe pushoftë në paqe!”, shpreh ngushllimet Agim Ademi.