Timo Werner te Chelsea nga sezoni i ardhshëm. Ato që dukeshin thashetheme merkatoje, me kalimin e ditëve mori valenca realiteti, ndërsa sot është bërë lajm zyrtar.
Leipzig e shet bomberin e vet te klubi i Londrës, për t’u “martuar” me projektin e bluve, të cilët paguan 53 milionë euro për Werner.
Sulmuesi gjerman, siç thuhet në njoftimin për shtyp të Chelsea, do të bashkohet me shokët e tij të ri të skuadrës që nga korriku, pasi të kryejë vizitat e zakonshme mjekësore.
“Jam i lumtur që kam nënshkruar për Chelsea, është një krenari për mua që të bashkohem me këtë klub të shkëlqyeshëm. Padyshim që dua ta falënderoj Leipzig dhe tifozët për katër vitet fantastike atje. Do të jenë përgjithmonë në zemrën time. Mezi po pres sezonin e ardhshëm për t’u bashkuar me shokët e mi të rinj të ekipit, trajnerin tim të ri dhe natyrisht tifozët e Chelsea. Ne kemi një të ardhme të shkëlqyer së bashku përpara”, – tha bomberi gjerman.
Për Werner, numrat sezonalë janë thjesht super: 32 gola dhe 13 asiste në 43 ndeshje, të cilat i mundësuan Leipzig të rezervojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.