Elon Musk nuk do t’i bashkohet më Bordit të Drejtorëve, kështu ka njoftuar shefi ekzekutiv i Twitterit, Parag Agrawal në një mesazh drejtuar kompanisë.
Agrawal javën e kaluar pati konfirmuar se Musk do të emërohej në këtë Bord pas blerjes së 9.2 për qind të aksioneve të kompanisë, mirëpo tani thotë se ai ka vendosur të mos e marrë këtë pozitë.
“Ne patëm njoftuar se Elon Musk do të emërohej në Bord të Drejtorëve. Emërimi i tij do të hynte në fuqi zyrtarisht më 9 prill, por Elon ndau me neve informacionin se nuk do t’i bashkohet Bordit. Ne do ta vlerësojmë gjithmonë kontributin e aksionareve tanë, pavarësisht nëse ata janë në Bord apo jo. Elon është aksionari ynë më i madh dhe ne do të mbetemi të hapur ndaj kontributit të tij”,
ka shkruar Agrawal.
Emërimi në Bord do ta kishte penguar Muskun që të zotëronte më shumë se 14.9 për qind të vlerës së kompanisë.
Në kohën kur blerja e Muskut u bë publike, aksionet e tij në Twitter kapnin vlerën e 2.89 miliardë dollarëve.
Shefi ekzekutiv i Teslas dhe SpaceX ka blerë 9.2 për qind të aksioneve në Twitter, pavarësisht ankesave të tij për lirinë e fjalës në këtë platformë. Kjo e bën Muskun aksionarin më të madh në kompani.
Në të njëjtën ditë që Musk i bleu aksionet, ai anketoi ndjekësit për krijimin butonit Edit, i cili do të shërbej për ndryshimin/plotësimin e postimeve.
Elon has decided not to join our board. I sent a brief note to the company, sharing with you all here. pic.twitter.com/lfrXACavvk
– Parag Agrawal (@paraga) April 11, 2022