Për një kohë të gjatë, Turqia ka qenë e ekspozuar ndaj problemeve për shkak të luftës civile tetë vjeçare në Siri dhe luftimit të terrorizmit, duke i dhënë presione shtesë ekonomisë së saj. Por tani, kohët e fundit, pasi mjegulla ka filluar të hiqet nga rajoni, ekonomia ka gjasa të gjejë tremujorin e fundit më pak të rrezikuar.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të mërkurën deklaroi se ai do të heqë sanksionet ndaj Turqisë me kusht që pauza e operacionit ushtarak përgjatë kufirit sirian e cila u arrit midis Ankarasë dhe Moskës të bëhej e përhershme.
Trump vendosi sanksionet më 14 tetor pas fillimit të operacionit anti-terrorist të Turqisë, “Burimi i Paqes”, duke rritur tarifat ndaj çelikut turk deri në 50 për qind dhe duke ndërprerë bisedimet me Ankaranë për marrëveshjen tregtare deri në 100 miliardë dollarë.
Masa e tij për heqjen e sanksioneve erdhi një ditë pas arritjes së marrëveshjes në mes Turqisë dhe Rusisë, e cila parashikon largimin e YPG-së, degën siriane të organizatës terroriste PKK, nga zona e sigurtë përgjatë kufirit sirian dhe duke kryer patrulla të përbashkëta në zonë.
Erhan Aslanoglu, profesor nga Universiteti “Piri Reis” me qendër në Stamboll, tha se me përfitimet diplomatike në Siri dhe vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve, mund të thuhet se Turqia po hyn në një periudhë ku rreziqet e jashtme janë ulur relativisht.
Ai tha se Turqia, për sa i përket zhvillimeve financiare, po kthehet në pikën ku ishte një muaj më parë, duke shtuar se zhvillimet e fundit po krijojnë një atmosferë relativisht pozitive për ekonominë, zvogëlimin e këmbimeve të paracaktuara të kredisë (CDS), kontratë kjo që lejon një investitor të “shkëmbejë” ose të kompensojë rrezikun e tyre të kredisë me atë të një investitori tjetër.
Kthimi drejt normales
Vendimi i Trumpit do të ndihmojë qeverinë turke të arrijë objektivin e saj të vendosur të Programit të Ri Ekonomik për vitet 2020-2022, tha Cuneyt Paksoy, një strateg dhe analist.
Ai theksoi se marrëdhëniet e mira midis Trumpit dhe Erdoğanit mund të konsiderohen një spirancë që ruan ekuilibrin e kursit të këmbimit të huaj, duke lehtësuar goditjet e papritura.
“Trump ka përdorur drejtpërdrejt fuqinë e tij presidenciale (kundër Turqisë) dhe kjo nganjëherë rezulton në politika asimetrike”, tha ai, duke shtuar se, kësaj radhe gjithçka është në favor të Turqisë, pavarësisht se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në një ekuilibër të brishtë.
Aspektet e tjera të ekonomisë së Turqisë, siç është prirja e rënies së normave të inflacionit, gjithashtu do të hapin rrugën institucioneve ekonomike të vendit për të ribalancuar ekonominë.
Gjithashtu, Banka Qendrore e Turqisë (CBRT) të enjten uli normën e marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me 250 pikë bazë, duke e ulur atë në 14 për qind, nga sa ishte 16.50 për qind.
Bozkurt Aran, drejtor i Qendrës TEPAV për Studime Multilaterale të Tregtisë me qendër në Turqi, tha se vendimi për heqjen e sanksioneve sinjalizon se ekonomia po kthehet në normale, duke pasur një ndikim pozitiv në tregtinë e jashtme dhe duke vendosur përsëri një mjedis konkurrues, shkruan AA.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.
Turqia ka strehuar rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.
Siria është zhytur në luftë civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad u përpoq të shuaj me forcë të paparë ndonjëherë protestat pro-demokratike në vend.