Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ka dhënë një deklaratë për emisionin sportiv “Radio Goal” në Radio “Kiss Kiss Napoli”. Veç të tjerash ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket vazhdimit të Champions League si dhe për suksesin e arritur nga mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj me skuadrën e Gatuzos në Kupën e Italisë.
“Dje kemi marrë vendime të rëndësishme për sa i takon vijimësisë dhe përmbylljes së Champions League dhe Europa League, si për datat e sfidave, ashtu edhe për stadiumet ku do të luhen ndeshjet. E vetmja që mbetet e papërcaktuar është nëse do të luhet me tifozë apo me dyer të mbyllura në Gjermani dhe në Portugali.
Megjithatë, ekziston mundësia të kemi tifozë në stadiume, por gjithçka do të varet nga mënyra se si do ndryshojë situata e pandemisë dhe janë gjëra për të cilat nuk mund të vendoset tani.
Nuk mund të pretendojmë që t’i mbushim stadiumet plot, është ende shumë herët, por nëse na jepet drita jeshile për të hapur dyert mund të synojmë të kemi 30% ose maksimumi 40% të kapacitetit të stadiumeve me tifozë.
Barcelona-Napoli në fushë neutrale? Të gjitha ndeshjet e mbetura të Champions League do të luhen në Lisbonë, Guimaraesh dhe Oporto. Sigurisht, Barcelona dëshiron të luajë në ‘Camp Nou’, ndërsa për ndeshjet e tjera të fazës çerekfinale është vendosur për vendet se ku do të luhen ndeshjet.
Hysaj është i lumtur që fitoi Kupën e Italisë, e gjithë Shqipëria bëri tifozllëk për Napolin me përjashtim të Kryeministit Rama, i cili është tifoz i Juventusit dhe nuk besoj se ka mbetur i kënaqur me rezultatin e finales”.