Dyshohet se 100 shqipetare nga Kosova jane pjese e ISIS – lajmi fundit – lajmi i fundit

0
Gjigandi

Rreth 100 qytetarë nga Kosova dyshohet se vazhdojnë të jenë pjesë e të ashtuquajturit Shtet Islamik. Pavarësisht se që nga dita e diel, grupi militant i të ashtuquajturit Shtet Islamik (ISIS), nuk e ka udhëheqësin e tij, pasi që siç ka njoftuar presidenti amerikan, Donald Trump, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë në një sulm të forcave amerikane në veriperëndim të Sirisë, kosovarët vazhdojnë të jenë pjesë e ISIS-it. Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net se në zonën e konfliktit dyshohet se janë rreth 100 qytetarë nga Kosova. Në bazë të dhënave të Policisë së Kosovës, kosovarët për herë të parë iu kanë bashkuar ISIS-it në vitin 2012. Në mesin e 2012-ës, kanë qenë 23 meshkuj që kanë udhëtuar drejt zonave të konfliktit në Siri dhe Irak. Po ashtu, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net se në vitin 2013 kanë qenë 120 kosovarë që i janë bashkuar ISIS-it, ku 101 prej tyre kanë qenë meshkuj, tetë femra dhe 11 fëmijë. Ndërkaq viti 2014 ka qenë viti që kosovarët më së shumti i janë bashkuar ISIS-it. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kanë qenë 138 qytetarë nga Kosova që i janë bashkuar ISIS-it, ku 74 prej tyre kanë qenë meshkuj, 31 femra dhe 33 fëmijë, raporton lajmi.net. Në vitin 2015 ky numër ka pësuar rënie. Kanë qenë vetëm 47 kosovarë që i ishin bashkuar ISIS-it, 30 meshkuj, 11 femra dhe gjashtë fëmijë. Ndërsa në vitin 2016 ishin vetëm gjashtë persona që iu bashkëngjitën ISIS-it, pesë meshkuj dhe një femër. Mirëpo, që nga viti 2017 e deri në fund të muajit tetor të vitit 2019 asnjë person nuk ka shkruar në Siri dhe Irak, raporton lajmi.net. Numri i përgjithshëm i kosovarëve që i janë bashkuar ISIS-it që nga viti 2012 është 359 ku 257 prej tyre janë meshkuj, 52 femra dhe 50 fëmijë. Por, nga 359 kosovarë që i janë bashkuar ISIS-it, muaj më parë Policia e Kosovës kishte deklaruar për lajmi.net, se gjithsej 79 persona kanë vdekur në zonën e konfliktit, ku 76 meshkuj ishin vrarë ndërsa tre të tjerë kishin vdekur nga shkaqet natyrore. Theksojmë se në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë një nga vendet e para në botë e cila kthen qytetarët e saj nga zonat e konfliktit në Siri. Në mesnatën e 19 prillit, 110 kosovarë duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen në Kosovë. Operacioni për kthimin e 110 kosovarëve ishte përshëndetur edhe nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, ndërkohë që zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Sean Robertson, kishte thënë se në kthimin e kosovarëve ishin përdorur asete të SHBA-së për të mbështetur operacionin e riatdhesimit duke mos dhënë më shumë detaje, për siç kishte thënë ai, shkaqe sigurie. Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu