Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike, ka folur deputetja e PD-së, Grida Duma.
Në llogarinë e saj në Facebook, Duma shkroi se pas dorëheqjes së Bashës do të jetë e mundur që PD-ja të ndërtojë projektin e saj të fitores së madhe.
“Nga ky çast, Partia Demokratike mundet të ndërtojë projektin e saj të fitores së madhe!
Nga ky çast, Partia Demokratike, me të vetmit aksionerë: demokratët, mundet të shpalosë gjithë energjinë e jashtëzakonshme që ka!”, ka shkruar Duma në Facebook.
Ndërkaq, pas largimit të tij, Basha tha se do të vazhdojë të jetë pjesë e PD-së, i angazhuar për të ardhmen e partisë.
“Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë”, tha Basha.
Lulzim Basha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në korrik të vitit 2013.
Lëkundjet në Partinë Demokratike filluan vitin e kaluar kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga vetë partia ish-kreun e partisë, ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.
Berisha e kontestoi vendimin e Bashës dhe si përgjigje nisi një fushatë për ta rimarrë kreun e PD-së, duke e sfiduar hapur Bashën dhe përkrahësit e tij./abc24.al/