Fshati Gjinar në Elbasan është shpallur zonë turistike pikërisht për masivet pyjore me pisha.
Mirëpo, në 30 vitet e fundit, pishat janë dëmtuar rëndë nga ajo që njihet si procesionarja. E favorizuar tashmë edhe nga ndryshimi i kushteve klimaterike procesionarja është përhapur me shpejtësi duke rrezikuar t’i zhdukë këto pyje.
E njëjta situatë paraqitet në të gjitha masivet e pyjeve me pisha në të gjithë vendin. Prej disa vitesh, ekspertët po punojnë dhe kanë gjetur zgjidhjen e luftës biologjike ndaj kësaj sëmundjeje. Por ndërhyrja mbetet ende peng e procedurave burokratike shtetërore.
Fakulteti i Shkencave Pyjore pritet së shpejti të ketë një marrëveshje me bashkinë e Elbasanit për shpëtimin e kësaj zone, marrëveshje e cila do të synohet të arrihet edhe me bashki të tjera në vend.