Me dhjetëra banesa të siguruara të dëmtuara ose shembura nga tërmeti i 26 nëntorit ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin për pronën e siguruar. Drejtori i mbikëqyrjes financiare Ervin Mete ka sqaruar në Komisionin e Ekonomisë se vetëm 60% e vlerës së dëmeve të shkaktuara është shlyer nga siguruesit.
“Vlera e kërkesave për dëmshpërblim ka arritur në 475 milionë lekë për tërmetin e shtatorit dhe 3.65 miliardë lekë për 26 nëntorit. Totali i kërkesave është 4.12 miliardë lekë për dëmshpërblim. Sa i përket tërmetit të shtatorit janë trajtuar 93% e dëmeve ndërsa për tërmetin e nëntorin janë trajtuar 81% e dëmeve dhe në vlerë 60%”, tha Mete.
Edhe pse shprehet i kënaqur me ecurinë e procesit Mete shprehet se ka pasur problematika me raportet e paraqitura nga Instituti i Ndërtimit.
“Sigurisht që ka problematika, janë lidhur edhe me raportet e institutit të ndërtimit për ti shembur apo jo banesat por gjithsesi situata është përballuar mirë”, deklaron kreu i AMF-së.
Fatkeqësitë natyrore të vitit 2019, kanë forcuar edhe një herë nevojën për sigurimin e pronës, edhe pse pronat e siguruara aktualisht janë në shifra minimale.
“Nga ngjarjet e tërmetit u shfaq nevoja për të zgjeruar mbulimin e sigurimit të pronës pasi 2.5% kanë një mbulim të tillë”, sqaroi ai.
Ndërsa sa i takon situatës së pandemisë COVID-19, Mete është shprehur se është herët për të bërë bilance konkrete apo edhe për të ndërmarr masa të nevojshme. Në 6 muajit e parë të vitit humbjet në treg kanë qenë 6.5%.