Selektori i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka folur për periudhën e izolimit gjatë pandemisë së koronavirusit si dhe rreth futbollistëve të Kombëtares së Kosovës. Tekniku zviceran synon që me “Dardanët” të sigurojë kualifikimin historik në ‘Euro 2020’.
Ndeshja e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut në kuadër të fazës play-off të ‘Euro 2020’ ishte paraparë të zhvillohej në mars, e më pas në qershor.
Por, të dyja këto data pamundësuan zhvillimin e ndeshjes, si pasojë e pandemisë COVID-19. Tani, me shumë gjasë, Kosova me Maqedoninë do të ndeshen në muajin tetor.
Rreth periudhës së karantinës dhe futbollistëve të kombëtares ka folur përzgjedhësi Bernard Challandes, që tha se nuk ka qenë aspak problem kjo periudhë e vet-karantinimit.
“Për mua nuk ka qenë aspak problem. Jetoj në një vend afër pyjeve dhe ka qenë e mundur të dilja dhe ecja, si dhe të punoj në kopsht. Nuk ka qenë e vështirë të qëndroj në shtëpi. Por, kam qëndruar në shtëpi me disiplinë pasi është e duhur. Tashmë kam ndryshuar edhe pamje, ndoshta jam i ri, dukem si i ri me këtë mjekërr të re”, ka thënë Challandes për ‘Arena Sportive’.
“Ka qenë një periudhë interesante e cila më ka dhënë shumë kohë për të lexuar, sidomos për futbollin, për taktikat dhe për trajnerë të ndryshëm. Gjithashtu, kam studiuar edhe stërvitje dhe taktika të reja për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut”, përfundoi ai.
Kosova në rast se mposht Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e play-offit, do të ndeshej me fituesin e takimit Bjellorusi – Gjeorgji, në finale.
Me fitore në këto dy ndeshje, “Dardanët” do të siguronin biletën për në Kampionatin Evropian, i cili mbahet vitin e ardhshëm.