Marsida Qatja flet pas ngjarjes së rëndë, që tronditi Kavajën dhe mbarë vendin ditën e sotme, ku u vra 41-vjeçari Dritan Haxholli dhe u plagos polici Bledar Toçi. Në intervistën dhënë gazetarit të “News24” Klement Baçi, 30-vjeçarja tregoi ngjarjen e rëndë, që ndodhi në banesën e saj, ku 41-vjeçari Haxholli hyri nga dritarja dhe qëlloi me breshëri kallashnikovi, por që u vra nga polici Toçi, i cili ishte duke darkuar me Qatjan dhe dy burra të tjerë. “Ndjehem shumë keq. Jo pa qëllim doja të kontaktoja me ju, sepse nuk janë të vërteta fare që ishte ish i dashuri. Personi na kërcënonte, i binte dritares. Kërkova ndihmën e Bledarit, shokut tonë, meqë ishte dhe polic. Nuk mendoja se do arrinte situata deri këtu. I thashë se jam me fëmijë dhe ai na shqetëson. Bledi tha se do më ndihmonte, se do e zgjidhte si njeri, meqë isha femër e vetme, me fëmijë. Ndërkohë, që unë isha me shokun tim Xhulion, Bled kishte 15 minuta që kishte hyrë brenda, Dritani i ra dritares me armë, unë i kërkova të hynte brenda. Ai filloi të qëllonte direkt me armë. Polici, që ishte dhe shoku jonë, u vetëmbrojt normalisht, se po na vriste dhe mua me djalin e vogël, nuk kishte fëmijë të tjerë brenda. Më vjen keq për motrën, që është cenuar për punën e agjencisë. Motra ime s’ka të bëjë fare me këtë çështje. As në agjenci s’ka hyrë ndonjëherë, as bileta fiktive, as kontakte, madje s’kemi pas as shoqëri të përbashkët. Unë jam dhe e martuar, jo më larg se sot me vjen një letër nga burri im, që shkruhen fjalët nga më të ndryshmet. Unë e kaloj shumë mirë me atë, më do dhe e dua. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me burrin, iki njëherë në muaj dhe e takoj në Gjermani, pasi është në burg. Këta kanë arritur, qoftë te motra, qoftë tek unë, deri në shkatërrim familje. Mua më vjen keq dhe për viktimën, pasi edhe atë e kishim shok, nuk është se nuk kishim kontakte”, tha Qatja.