Juventusi barazoi ndaj Atalantës 2-2 në një ndeshje ku bergamezët dominuan gjithçka, por kampionët morën pikën me dy pentalli të Cristiano Ronaldos. Portugezi nuk gaboi nga 11 metrat, ndërsa kritikat ishin të forta për skuadrën e Sarrit që nuk dhuroi shumë futboll në fushën e lojës.
Leonardo Bonucci foli pas sfidës së barazuar dhe mendon se ndeshje të tilla të japin titullin kampion. ‘’Është gjithmonë e vështirë të luash kundër Atalantës. Ne duhet të sakrifikonim veten tonë për ekipin. Unë nuk isha stërvitur për disa ditë për shkak të një gjendjeje gripale, por duhet të isha këtu për skuadrën. Ekipi e fitoi me mund këtë pikë dhe ky është shpirti i garës që ne kërkojmë gjithmonë të kemi. Ne e provuam të fitonim, por e rëndësishme është t’i mbajmë sa më larg Lazion dhe Atalantën.
‘’Tashmë kemi kohë për të rikuperuar energjitë, pasi të mërkurën ne do të luajmë kundër Sassuolos dhe ndeshja do të jetë po aq e vështirë sa sot ( dje ). Ata luajnë një futboll të shpejtë prandaj duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Ajo se çfarë duhet të shikojmë nga ndeshja e sotme është rezultati dhe ndeshje si këto të japin kampionatin. Ende nuk mund të bëjmë kalkulime, por duhet ta mbajmë këmbën deri në fund te gazi deri sa të shpallemi automatikisht kampionë,’’ – mbyll Bonucci.