Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar për herë të parë në lidhje me vendimin e gjykatës së Tiranës, e cila njohu sot statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit, bashkë me Grupin e Rithemelimit të PD-së.
Në një komunikim me gazetarët pak para nisjes së mbledhjes së parashikuar nga grupi i Rithemelimit, Berisha dha mesazhin e tij të qartë për demokratët.
“Në vlerësimin e çdo shqiptari nuk mund të ishte ndryshe. Mesazhi për demokratët është: bashkim, bashkim, bashkim. Do të dal në një takim të shkurtër prapë”, tha ai.
Gjykata e Tiranës njohu sot ndryshimet në statut të Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor, që u thirr nga Sali Berisha.
Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso deklaroi se tashmë PD drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.
Ndërsa, kryetari në detyrë i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi është skandaloz dhe do e ankimojnë.
/abc24.al/