BE 3.3 miliardë euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor në përballimin e krizës me COVID-19

0
69
blank
Gjigandi

Komisioni Evropiani njoftoi sot për një ndihmë financiare të Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane të Investimeve në vlerë mbi 3.3 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila synon të adresojë nevojat emergjente shëndetësore dhe humanitare të shkaktuara nga COVID-19, si dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ndihma financiare bëhet me qëllim të tejkalimit të krizës së pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike pas përfundimit të COVID-19.
“Përtej kësaj, do të vazhdojmë ta mbështesim rajonin, përfshirë reformat e nevojshme në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi rimëkëmbja do të jetë efektive vetëm nëse vendet vazhdojnë t’i përmbushin zotimet e tyre,” tha Ursula von der Leyen.
Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha se BE-ja do të vazhdojë me përgatitjen e një Plani Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin, në mënyrë që të trajtohet ndikimi i rëndë socio-ekonomik i krizës, të modernizohen ekonomitë e rajonit, të mbështeten reformat dhe të fillojë mbyllja e hendekut zhvillimor, duke i sjellë kështu më shpejt përfitimet konkrete për qytetarët.
Pakoja e ndihmës financiare të BE-së prej më shumë se 3.3 miliardë eurosh përfshin rialokime prej 38 milionë eurosh për mbështetje të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë nga Instrumenti i Ndihmës së Para Aderimit, veçanërisht përmes sigurimit të furnizimeve thelbësore që shpëtojnë jetë, siç janë pajisjet personale mbrojtëse, maskat dhe ventilatorët; 389 milionë euro për të adresuar nevojat e rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike dhe një paketë të riaktivizimit ekonomik prej 455 milionë eurosh, në bashkëpunim të ngushtë me Institucionet Financiare Ndërkombëtare.
Këtu përfshihet edhe një propozim për 750 milionë euro të Ndihmës Makro-Financiare dhe një paketë e ndihmës prej 1.7 miliardë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve.
BE-ja po siguron edhe ndihmë të menjëhershme humanitare për refugjatët dhe migrantët e cenueshëm në masën prej 4.5 milionë eurosh, si dhe 8 milionë euro për të adresuar nevojat e ngutshme në kampet e migrantëve në mbarë rajonin.
Si rezultat i shpërthimit të koronavirusit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë aktivizuar edhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (UCPM) dhe tashmë kanë filluar të marrin ndihmë përmes dërgimit të pajisjeve dhe riatdhesimit të qytetarëve nga shtetet anëtare të UCPM-së dhe shtetet pjesëmarrëse.
Për më tepër, marrë parasysh perspektivën e tyre evropiane, BE-ja po i trajton vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të privilegjuar, duke u dhënë mundësinë e qasjes në shumë iniciativa dhe instrumente të rezervuara për shtetet anëtare të BE-së.
Kjo përfshin, prokurimin e përbashkët të pajisjeve mjekësore, përjashtimin e rajonit nga skema e autorizimit të eksportit të BE-së për pajisjet personale mbrojtëse, duke siguruar kalimin e shpejtë të mallrave esenciale në kufijtë tokësorë përmes “korsive të gjelbra”, dhe furnizime nga BE-ja me materiale të testeve për të siguruar funksionimin e saktë të testeve të koronavirusit në Ballkanin Perëndimor.
Më vonë, gjatë vitit, Komisioni Evropian do të paraqesë me një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin, për nxitjen e rimëkëmbjes afatgjatë, zmadhimin e rritjes ekonomike dhe mbështetjen e reformave të kërkuara për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.
Do të përfshijë edhe një paketë investimesh të konsiderueshme për rajonin. Për periudhën 2021-2027, Komisioni ka propozuar një zarf total për Instrumentin e Para Aderimit III prej 14.5 miliardë eurosh, nga të cilat pjesa e luanit është destinuar për Ballkanin Perëndimor.
Komisioni parashikon dyfishim në dhënien e granteve përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe rritje të ndjeshme të garancive financiare për të mbështetur investimet publike dhe private në rajon përmes një Instrumenti të Garancive të dedikuar për Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Tranzicioni i Gjelbër dhe Transformimi Digjital do të luajnë një rol qendror në ri-ngritjen dhe modernizimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Investimi në teknologji dhe kapacitete të pastra dhe digjitale, së bashku me ekonominë rrethore, do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen.
Do të ofrohet mbështetje edhe për përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomive të Ballkanit Perëndimor, për lidhjen e tyre më të mirë brenda rajonit dhe BE-së, dhe për të ndihmuar që Ballkani Perëndimor të jetë i përgatitur për epokën digjitale.
Po ashtu, do të ketë përqendrim të fortë në lidhjet e transportit dhe energjetike, të cilat janë vendimtare për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe BE-së.
Ndryshe, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen më 6 maj për një takim të udhëheqësve të BE-Ballkanit Perëndimor për të trajtuar sfidat e përbashkëta.
I parashikuar fillimisht si një samit në Zagreb, për shkak të pandemisë së COVID-19 takimi tani do të mbahet përmes video-konferencës. Propozimet e sotme janë kontributi i Komisionit përpara këtij takimi./KosovaPress/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu