I shoqëruar nga Ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, kryeministri Edi Rama foli në një konferencë për mediat, mbi lajmin e djeshëm për Eurobondin, të cilin e cilësoi si lajm shumë të mirë dhe që sipas tij, tregon se vendi ynë është i besueshëm.
Ndër të tjera, kryeministri Rama thumboi edhe opozitën, veçanërisht ish-deputeten e PD-së, Jorida Tabakun.
“Më vjen keq që ky lajm i jashtëzakonshëm nuk ka marrë vëmendjen e duhur, por më vjen dhe më keq që për atë pjesë të vëmendjes që i ka kushtuar opozita ka vazhduar një avaz që nuk i shkon fare. Nuk bëhet fjalë për qeverinë, por për shtetin dhe popullin megjithëse nuk diskutohet që është meritë e kësaj qeverie që dalim në tregjet e kapitalit pas dy goditjeve. Ne kemi dalë me një prim zero dhe nga ana tjetër më vjen keq që flitet në mënyrë të ngjashme në fluturimin e atyre balonave tabake pa bisht. Nuk e di e keni parasysh kur kemi qenë fëmijë dhe luanim me balona, bishti ishte element i rëndësishëm. Balonat tabake ishin më bindëse se balonat tahuke, kur s’kishin bisht nuk fluturonin dot. Ne kemi marrë një konfirmim nga tregjet që në radhë të parë na shikon si vend të besueshëm në raport me institucionet financiare dhe në radhë të dytë na jep mundësinë të zgjerojmë bazën tonë të financimit e investimit. Është një bazë që konsolidon planin tonë kombëtar Shqipëria 2030”, u shpreh Rama.
Më tej shtoi:
“Kur vendi del në tregjet e kapitaleve është në një proces të hapur ku synimet jo gjithmonë përputhen me kërkesën e tregjeve. Atyre që thonë: Hë mo se borxh morët, ju kujtoj që çdo njeri që hyn në një sistem bankar nuk mjafton të duash të marrësh borxh por duhet të gjesh dhe ata që të japin borxh dhe duhet të kenë besim. Është vlerësim për librin e llogarive të vendit.”
Shkruar nga: top-channel.tv