Spanja është një nga vendet europiane më të prekura nga “Coronavirus”, në nivelin e Italisë për sa i përket numrit të të infektuarve. Në mesin e tyre është edhe Renan Lodi, lojtari i Atletico Madrid.
Braziliani, siç u zbulua në orët e kaluara nga shtypi spanjoll, u testua pozitiv, ndërsa nëntë shokë të tjerë të skuadrës rezultuan me antitrupa, çka do të thotë se e kanë kaluar virusin, janë imunë tashmë. Kjo e fundit është dëshmuar nga testet serologjike.
Lodi, nga ana tjetër, është akoma i infektuar, edhe pse tani është afër fazës së gjenerimit të antitrupave.
Aktualisht është asimptomatik dhe së shpejti do të bëjë përsëri testin PCR, i cili, në rast të një rezultati negativ, do të duhet të përsëritet pas tri ditësh për të konfirmuar eliminimin e ngarkesës virale.
Atletico Madrid, në praktikë, e konfirmoi pozitivitetin e lojtarit brazilian përmes profileve të tij në rrjetet sociale: “Renan Lodi ju dërgon një përshëndetje nga shtëpia e tij. Do t’ju shohim së shpejti në fushë, Renan!”.
Ish-lojtari i Athletico Paranaense kishte manifestuar simptomat e para në fillim të marsit. Ndërkohë, Lodi do të vazhdojë të stërvitet brenda shtëpisë, ndryshe nga nëntë të tjerët, që mund të rifillojnë stërvitjen duke filluar nga sot, në seancën e planifikuar në qendrën sportive “Colchoneros”.