Marklen Haka, 28-vjeçari që i shpëtoi atentatit të së shtunës në Nikël, ku mbeti e vrarë halla e tij, duket se i ruhej një ngjarjeje të tillë dhe shihte me dyshim çdo lëvizje rreth tij.
Megjithatë, mbrëmjen kur ndodhi ngjarje, duket se Haka nuk e kishte llogaritur një sulm aq të organizuar, ndonëse arriti të shpëtonte, duke u plagosur lehtë. Pak momente para se në drejtim të tij të qëllohej më shumë se 100 herë, kushëriri i tij e kishte lajmëruar për disa persona të dyshimtë që ndodheshin rrotull shtëpisë ku ai ndodhej. Policia ka marrë në pyetje të afërmin e 28-vjeçarit Haka, si një ndër dëshmitarët kryesorë të ngjarje, megjithatë i riu duket se nuk ka ndihmuar aq sa duhet grupin hetimor.
Ai ka deklaruar se ka qenë duke u kthyer në shtëpi mbrëmjen e së shtunës dhe kur është afruar te banesa, ka parë disa persona që bënin lëvizje të dyshimta. Këtë informacion ai ia ka përcjellë Marklen Hakës sapo është futur në shtëpi. E megjithëse i ruhej një atentati të mundshëm, Haka ka nxituar të dalë jashtë për të parë se kush ishin këta persona. Pas tij ka dalë edhe halla, 50-vjeçarja Shpresa Basha, e cila ka dashur të mbronte djalin e vëllait, pasi ishte në dijeni të problemeve që ai kishte.
Ky ka qenë edhe momenti fatal, pasi të dy janë përballur me sulmin me armë zjarri, duke mbetur të plagosur. Haka arriti të shpëtojë me disa plagë të lehta, ndërsa halla e tij ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Kushëriri i Marklen Hakës ka deklaruar në Polici se nuk ka arritur t’i shohë fytyrat e personave të dyshuar, pasi në atë moment ka qenë errësirë.
HETIMET
Marklen Haka, 28-vjeçari që i shpëtoi atentatit me 100 plumba mbrëmjen e së shtunës, gjatë të cilit mbeti e vrarë halla e tij, kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu. Grupi hetimor ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, ndërsa është i sigurt se objektivi ishte Marklen Haka, ndonëse nga të shtënat humbi jetën 50- vjeçarja Shpresa Basha. Haka, aktualisht, ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën, por deri tani nuk ka dhënë ndonjë dëshmi të vlefshme për grupin hetimor.
Duke qenë para kësaj situate, hetuesit po verifikojnë precedentët e mëparshëm të tij, ngjarjet për të cilat ai ka qenë i dyshuar, që në fakt nuk i janë faktuar asnjëherë. Marklen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.
Ndërsa më vonë është ndaluar si i dyshuar për një atentat me eksploziv. Herën e fundit që ai provoi qelinë, u akuzua për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 1 vit heqje lire. Dënimin e përfundoi në korrik të këtij viti. E dy muaj pasi fitoi lirinë, i shpëtoi mrekullisht një atentati, ndonëse drejt tij u qëlluar afro 100 herë.
Arrestimi për vrasje në vitin 2011
Marklen Haka u arrestua për herë të parë më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit NadienZeneli, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Marklen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes.
“Më ka marrë Policia më datë 14 qershor. I thanë nja dy vajzave aty: ‘A është ky ai personi?’. Ato thanë: ‘Jo, se ai (autori) kishte mjekër’. Tani s’e di unë, jam dakord me çfarë tha avokati dhe nuk kam gjë për të shtuar”, u shpreh Haka gjatë seancës 8 vite më parë. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.
U arrestua në Nikël para një viti, bëri 10 muaj burg
Më 12 shtator të vitit që kaloi, Merklen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie.
Fshati problematik i Krujës, Nikla, më 12 shtator të vitit të kaluar, u zgjua i rrethuar nga blindat e snajperët e forcave speciale RENEA, FNSH, si dhe dhjetëra oficerë të Policisë së Shtetit. Pas operacionit që zhvilloi në Shkodër, Policia shënjestroi Niklën, që për nga situata kriminale, i ngjante Lazaratit të dikurshëm.
Objektivi i aksionit të nisur në orët e para të mëngjesit kanë qenë personat me precedentë penalë, kontrollet për armë, eksploziv e drogë, për të cilat ishin siguruar më parë mandatet nga Gjykata. U shoqëruan dhjetëra persona, por vetëm 4 u arrestuan, mes të cilëve edhe Marklen Haka e babai i tij. Me një vendim të datës 9 prill të këtij viti, Gjykata e Krujës e dënoi Marklen Hakën me 1 vit e gjysmë burg, por me gjykim të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Dënim që e përfundoi në korrik të këtij viti.
Marrë nga PANORAMA