Aston Villa e ka mposhtur Arsenalin në kuadër të javës së 37-të në Ligën Premier me rezultat 1-0, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në elitën e futbollit anglez.
Pas 27 minutash lojë në Villa Park, vendasit kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Trezeguet, me një asistim të Tyron Mings.
Pjesa e parë përfundoi me këtë gol, derisa në të dytën ishte ritëm edhe më i lartë i lojës.
Arsenali filloi të rrezikonte edhe më shumë, duke futur në lojë lojtarë më sulmues, në mënyrë që të përmbysnin rezultatin.
Aston Villa kishte shansin e artë që të dyfishonte epërsinë, mirëpo Keinan Davis dështoi të shënonte në minutën e 75-të kur ishte vetëm përballë portierit të The Gunners.
Vendasit arritën të mbaheshin deri në fund, për t’i marrë kështu tri pikë mjaftë të arta.
Pas javës së 37-të, Arsenali është në pozitën e dhjetë me 53 pikë, ndërsa Aston Villa në të 17-in me 34 sosh, aq sa ka edhe Watfordi.
Skuadra londineze në xhiron e 38-të, që është e fundit për edicionin 2019/20, do të luajë pikërisht me Watfordin që lufton për mbijetesë.